Vdekja e Doriana Hakës, familja priti 11 vite për drejtësi. Dy mjekët nuk do të vuajnë asnjë ditë burg

doriana haka, alban hoxha dhe djali i tyre

TIRANË- 11 vite pritje i janë dashur familjes së Doriana Hakës, për të gjetur ‘drejtësi’ për vdekjen e saj, 2 javë pasi kishte sjellë në jetë të birin, fryt i dashurisë me portierin Alban Hoxha. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka dhënë sot dënimin për dy mjekët që janë gjetur fajtor për vdekjen e të resë, ngjarje e ndodhur kjo në vitin 2011.
Apeli ka dënuar me 6 muaj burg kirurgun Petrit Rexhepi, dënim i cili për shkak të moshës mbi 70 vjeç do ti konvertohet në shërbim prove për 1 vit. Nga ana tjetër Gjykata ka dënuar me 1 vit burg reanimatoren Elona Burba, dënim i cili do t’i konvertohet në 2 vite shërbim prove dhe pezullim licence për një periudhë 2-vjeçare.
Familja Haka nisi një përballje ligjore me drejtuesit e maternitetit “Koço Glozheni” që në vitin 2014 pasi humbën të bijën. Ata akuzojnë mjekët si përgjegjës për humbjen e jetës së Dorianës. 
Hamide dhe Enver Haka, prindërit e të ndjerës, prej njëmbëdhjetë vitesh janë zvarritur në dyert e Gjykatave për të zbardhur vdekjen e vajzës së tyre.
Në seancën e fundit, Hamide Haka shpërtheu në lot dhe dhimbje, duke kërkuar që gjyqtarët të mos lënë pa u dëgjuar zërin e saj. “Më djeg shpirti, më dhemb zemra. Fëmija i Dorit po rritet pa nënë. Dua vetëm drejtësi, asgjë më shumë,” tha ajo para trupës gjykuese.
Edhe Enver Haka shprehu zhgënjimin e tij për vonesat e pafundme të sistemit gjyqësor. Ai u shpreh se çdo shtyrje e seancave është një plagë e re për familjen e tij, por theksoi se nuk do të ndalet së kërkuari të vërtetën. “Do të vazhdoj derisa të kem frymë, nuk dorëzohem pa drejtësi,” tha ai.
Për tre vite me radhë çështja u mbajt në sirtaret e Gjykatës së Apelit, duke u shtyrë vazhdimisht.
Doriana Haka ndërroi jetë në nëntor të vitit 2014, vetëm dy javë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë. Ajo ishte bashkëshortja e ish-portierit të Partizanit, Alban Hoxha. Vdekja e saj mbetet një plagë e hapur për familjen, por edhe një çështje e pazgjidhur në sistemin shqiptar të drejtësisë.
Prindërit e saj e konsiderojnë procesin jo vetëm një betejë personale, por edhe një thirrje për të gjithë prindërit që humbin fëmijët e tyre nga papërgjegjësia mjekësore. “Drejtësi, vetëm drejtësi kërkojmë. Është e vetmja gjë që na ka mbetur pas humbjes së Dorit,” u shprehën prindërit në seancën e mbajtur në Shtator të këtij viti. /ZËRI