Plarent Dervishaj vendosi të heqë dorë nga mbrojtja e tij. Ai deklaroi se nuk mund të përballej më me mënyrën se si gazetarët dizinformojnë deklarimet e dëshmitarëve.
“Nuk e kam për të gjithë, por për emra të veçantë. Atëherë çfarë kërkojmë ne këtu? Unë heq dorë nga avokatët Ilia Ilia dhe Gerta Gorjani. Bëni gjyqin vetë, prokurorin ja ku e keni. Nuk paraqitem më në gjyq,” tha Dervishaj para se të largohej nga salla. Pas tij, avokatët gjithashtu braktisën seancën.
Prokurori Adnan Xholi u shpreh se e drejta e të pandehurit për të marrë pjesë ose jo në gjykim duhet respektuar, por largimi i avokatëve nuk ishte i nevojshëm. Ai kërkoi që gjykata të merrte masa, duke përfshirë zëvendësimin e avokatëve ose shtyrjen e seancës, pa ndërprerë afatet e paraburgimit, si dhe njoftimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë për braktisjen e seancës.
Nga ana e tij, avokati Isuf Shehu theksoi se nuk kishte arsye për pezullimin e afateve të paraburgimit dhe as për shtyrjen e gjykimit.
