Zbardhet vendimi i Gjykatës së Posaçme për Ballukun dhe vartësit e saj: Rrezikojnë prishjen e provave dhe largimin nga vendi

belinda balluku

TIRANË- Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Posaçme, në lidhje me pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, dhe njëherësh ministres së Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku. Sipas vendimit të siguruar nga ZËRI, mes të tjerave thuhet se nëse Balluku do të vijojë të qëndrojë në detyrë, mund të ndikojë në prishjen e provave. Po ashtu thuhet se e pandehura Balluku dhe dy vartësit e saj mund të rrezikojnë që të largohen nga vendi, nëse ndaj tyre nuk vendoset masa e ndalimit.
“Gjykata vlerëson se, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve të sipërcituar, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy here dhe në bashkëpunim”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Në lidhje me rrezikun që për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohet, Gjykata vlerëson se, “në rastin konkret për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve të sipërcituar, duke qenë në ushtrimin e funksioneve respektive të tyre për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë”.
Në lidhje me ekzistencën e shkaqeve të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës Gjykata vlerëson se, “në rastin konkret ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje. pasi për shkak të detyrës që ushtron e pandehura Belinda Balluku. (aktualisht me funksionet e larta shtetërore, Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës). por dhe të pandehurit e tjerë Gentian Gjyli, (aktualisht me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar), Frald Elezi, (me detyrën e Administratorit të Koorporates Elektroenergjitike Shqiptare SH.A). ekziston mundësia që ata të mund të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave, në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, kjo nisur nga fakti që organi procedues po verifikon çdo dokumentacion të administruar nga Institucionet”.
Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet në drejtim të numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku, për të cilën Gjykata vendosi dkemasën e pezullimit nga detyra dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit. Përveç saj Gjykata e Posaçme miratoi dhe masën e arrestit të shtëpisë për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kreun e Korportatës Energjitike Shqiptare Erald Elezi. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n, se përveç tenderit për tunelin e Llogarasë, Balluku dhe vartësit e saj janë marrë nën hetim dhe për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe në Tiranë. Ky tender me vlerë 19 milionë euro, është fituar nga bashkimi i operatorëve “Alko Impleks General Construction” shpk dhe “2 T” shpk.
GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për të pezulluar Ballukun nga ushtrimi i funksioneve publike, për shkak se mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban.
Balluku mund të dalë jashtë vendit vetëm me një leje të veçantë që prek rastet e familjarëve dhe të rënda shëndetësore. /ZËRI