“Bëjeni ju gjyqin”, Plarent Dervishaj debat të fortë me togat e zeza, ‘shkarkon’ avokatët nga mbrojtja e tij

plarent dervishaj

TIRANË- Seanca e sotme në Gjykatën e Posaçme ndaj Plarent Dervishajt, është shoqëruar me debate të forta në sallë, pasi i pandehuri kërkoi që procesi ndaj tij të mbahet me dyer të mbyllura.
Sipas Dervishajt, deklaratat e tij në sallë janë keqpërdorur nga mediat, dhe për këtë shkak ai i kërkoi trupës gjykuese që gazetarët të mos lejoheshin në seancë. Kërkesë e cila iu rrëzua. Pas kësaj Dervishaj u ka hequr avokatëve të tij të drejtën për ta përfaqësuar dhe është larguar nga salla e gjyqit.
“Nuk e kam për të gjithë, por për emra të veçantë. Atëherë çfarë kërkojmë ne këtu? Unë heq dorë nga avokatët Ilia Ilia dhe Gerta Gorjani. Bëni gjyqin vetë, prokurorin ja ku e keni. Nuk paraqitem më në gjyq,” tha Dervishaj para se të largohej nga salla. Pas tij, avokatët gjithashtu braktisën seancën.
Gjykimi tashmë do të vijohet me praninë e një mbrojtësi të caktuar kryesisht nga gjykata.
Plarent Dervishaj një personazh i njohur në sferën e krimit në Shqipëri, që u ekstradua nga Dubai i Emirateve të Bashkuarta Arabe, si personi kryesor i përfshirë në atentatin ndaj ish- prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji, në nëntorin e vitit 2019, në mbikalimin e Shkozetit.

Arjan Ndoji në vitin 2019 i shpëtoi një atenati me armë zjarri, ku vetë mbeti i plagosur kurse shoferi Andi Maloku u vra ndërkohë që udhëtonte sëbashku me një nga eksponentët e krimit, “Rumin e Shijakut”./ZËRI