Një 39-vjeçar shqiptar u arrestua nga policia greke, ndaj të cilit ishte në pritje një urdhër-arresti europian, i lëshuar nga autoritetet belge. Në prangat e policisë ka rënë Osmen Hoxha nga Njësia Administrative Qendër e Fierit. Arrestimi i tij u krye nga oficerë policie të Nëndrejtorisë së Narkotikëve të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar të policisë greke.
Urdhër-arresti lidhej me përfshirjen e Osmen Hoxhës në një organizatë kriminale me seli në Belgjikë, e cila dyshohet se ishte aktive në importimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në vendet evropiane, si dhe në kultivimin e plantacioneve të marijuanës dhe funksionimin e impianteve të përpunimit dhe riformulimit të drogës jashtë vendit.
Konkretisht, arrestimi i Hoxhës lidhet me sekuestrimin e një kontejneri në shtator 2024 në portin e Antwerp, i cili përmbante 500 kilogramë kokainë.
Shqiptari i arrestuar është dërguar në Prokurorinë Publike kompetente, ku i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa hetimi për rastin vazhdon.
