permbytjet ne vend
TIRANË- Situatë e rëndë është regjistruar në juglindje të vendit pas reshjeve intensive të shiut gjatë orëve të fundit. Në Çukë të Sarandës, për shkak të reshjeve të dendura, është çarë argjinatura e lumit Bistrica dhe pasojë janë përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore. Katër barinj kanë mbetur të izoluar në një stallë me dele.
Situata paraqitet kritike edhe në Vlorë. Niveli i lumit Vjosa ka arritur në 8.25 metra, ndërsa pritet ende rritje për shkak të prurjeve nga Tepelena dhe Memaliaj. Në Mifol dhe Novoselë ka përmbytje të tokave bujqësore. Në fshatin Fitore pranë Urës së Mifolit janë 10 banesa të përmbytura dhe 7 të tjera në Novoselë, ndërsa banorët janë evakuuar.
Ndërkohë, situatë e rëndë paraqitet edhe në fushën e Korçës, në fshatrat Çiflig, Bulgarec e Lumalas, ku nga reshjet e shiut është përmbytur edhe fusha e aviacionit në Lumalas. Situatë alarmante paraqitet në fshatin Kamenicë të Korçës, ku përroi që përshkon zonën ka dalë nga shtrati, duke dëmtuar argjinaturën dhe një urë. Banesat që ndodhen në të dy anët e përroit janë në rrezik përmbytjeje, ndërsa banorët kanë kaluar net pa gjumë nga frika se uji do t’u hyjë në shtëpi.
Edhe në Fier situata është e rënduar. Në fshatrat përgjatë Vjosës, Kashisht, Çerven dhe Ferras, ka prezencë të ujit në tokat bujqësore brenda argjinaturës, ndërkohë që niveli i prurjeve në lumin Seman vijon të rritet. Në Berat lumi Osum ka dalë nga shtrati duke bërë që të ketë prezencë uji në pedonalen e qytetit. Ekipi i emergjencave po punojnë për të hequr ujin.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë monitorimin e situatës për garantimin e sigurisë së banorëve dhe minimizimin e dëmeve./ZËRI
