Belinda Balluku pezullohet nga detyra! A ndërhyu GJKKO në pushtetin qeveritar?

Edi Rama, Belinda Balluku, Mero Baze, Baton Haxhiu dhe Ylli Manjani

TIRANË-GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun! Ky ishte vendimi që shënjoi ditën e sotme. Por ky vendim ka hapur një debat: A ka të drejtë drejtësia të pezullojë zyrtarë të zgjedhur? A është cënuar imuniteti qeveritar? A zëvendësoi gjykata kryeministrin? A do të veprojë Edi Rama apo do të presë institucionet e drejtësisë?
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani e sheh vendimin e GJKKO si një grusht shteti. Manjani i qëndron pyetjes së parë, ku shprehet se me pezullimin e Belinda Ballukut është pezulluar edhe qeveria. Duke u ndalur tek koncepit i imunitetit qeveritar, Manjani arsyeton se pezullimi është shkelje e Kushtetutës nga ana e GJKKO-së dhe se këtë vendim nuk mund ta marrë kjo gjykatë. Sipas tij masa e pezullimit nga detyra merret ndaj çdo funksionari publik, përveç atyre të zgjedhurve, në këtë rast zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Nga Ylli Manjani
Vendimi i sotëm për të pezulluar qeverinë, përbën as më pak e as më shumë sesa GRUSHT SHTETI.
Sigurisht që drejtësia ka të drejtë të pezullojë zyrtarë publikë, por jo të zgjedhur. Anëtarët e qeverisë mbrohen me të njëjtin imunitet si të zgjedhurit, përveç faktit që zonja Balluku është gjithashtu e zgjedhur. Por GJKKO sot nuk ka pezulluar Ballukun, por qeverinë. Së pari zvkryeministri është kryeministër. Vetëm propozim për ndryshim kabineti nuk bën, të tjerat i bën të gjitha. Në një situatë kur Kryeministri gjendet i pamundur të jetë fizikisht në detyrë dhe zvkryeministri është i pezulluar, vendi është pa qeveri. Ky është qëllimi i drejtësisë, të lërë vendin pa qeveri?! Asnjë pushtet nuk ka të drejtë të lerë vendin pa qeveri.
Së dyti, me këtë preçedent, drejtësia i ka dhënë mandat vetes të ndryshojë qeverinë sa herë të dojë. Sepse neser, me një letër anonime, mund të çelë një hetim për Kryeministrin apo gjithë qeverinë (apo nuk ja kanë marrë dorën me këtë grupin e srrukturuar kriminal) dhe GJKKO i pezullon se prishin provat. Ou? Pse qeveritë i zgjedh drejtësia?!
Ndaj them se kjo ndërhyrje e drejtësisë mbi ekzekutivin është grusht shteti. Imuniteti është shpikur si koncept jo për të mbrojtur mbajtësin e detyrës, por për të mbrojtur dhe garantuar pavarësinë e një pushteti ndaj një tjetri. Drejtësia sot ka ndërhyrë brutalisht në pushtetin ekzekutiv. Dhe kjo është e papranueshme. Ne nuk kemi gjeneralë e ushtri që ta bëjnë grushtin, por kemi prokurorë që ndjehen pronarë të Republikës. Ata ndjehen dhe veprojnë si eprorë të pushteteve të tjera që dalin nga vota. Edhe ata ushtarakët kur bljnë grusht shteti këahtu thonë si spak-u jonë: “po luftojmë korrupsionin”….
Grusht shteti i republikës së prokurorëve është, që çke me të! Ndaj ligjet e kanë të ndaluar pezullimin nga detyra të të zgjedhurve. Pikërisht për të ndaluar grushtin e shtetit të të emëruarve. Do kishte qenë krejt normale, brenda anormalitetit që kanë krijuar, që të kërkonin arrest me burg për zonjën Balluku, ose të aplikonin një masë tjetër. Kështu masa do individualizohej dhe skishte pse të ngatërrohej me funksionim e qeverisë. Por pezullimi në këtë rast është grusht shteti. Gjykata Kushtetuese paguhet nga ky shtet, për këtë ditë. Kaq.*****Diskutimet popullore e populiste me pandëshkueshmëri e me “palloshë” e me “Belindë”, janë temë tjetër dhe mund të pajtohem me shumë gjetje. Por grushti i shtetit meriton vemendje parësore! Personalisht ndjehem mirë që erdhën punët deri në këtë pikë sepse kur flisja, nuk me besonte njeri… Por kam qenë, jam e do jem me shtetin dhe rendin shtetëror.Çdo asocim që tenton të lidhë qëndrimet e mia me persona, është i pavend dhe e neveris.
Ndryshe e sheh vendimin opinionisti dhe gazetari Mero Baze. Ky i fundit njëjtë si ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani shprehet se SPAK ka cënuar imunitetin qeveritar dhe duke renditur rastet e Ilir Beqajt, Erion Veliajt dhe Ilir Metës, deklaron se në Shqipëri është ngritur një pushtet i ri: Republika e Prokurorëve. Por ndryshe nga Manjani, Baze ndalet edhe tek qëndrimi i kryeministrit Edi Rama. Sipas tij Rama ka dy rrugë; e para të ndjekë skemën në rastet e zyrtarëve të tjerë dhe të presë të vendosë drejtësia, dhe e dyta të veprojë vetë duke e shkarkuar. 
Nga Mero Baze
Kryeministri Edi Rama duhet të vendosë nëse do ta bëjë vetë betejën lidhur me atë që konsiderohet tejkalim i kufijve kushtetues nga GJKKO dhe SPAK në rastin e pezullimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, apo do të ndjekë retorikën e tij të deritanishme për ta lënë drejtësinë të veprojë si pushtet i pavarur. Kjo e dyta i ka sjellë një sërë përfitimesh politike në raport me procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke rritur autoritetin e SPAK dhe duke mos hapur beteja për shumë nga shkeljet e qarta ligjore që janë ndeshur në këtë proces. Për burokratët europianë këto janë të parëndësishme, pasi për ta ka rëndësi rezultati politik i SPAK dhe jo kultura ligjore që sundon në Shqipëri. Por për Shqipërinë kanë rëndësi të dyja.
Duke iu qëndruar besnik retorikës së tij se nuk ndërhyn në drejtësi, u arrestua kryetari i Bashkisë së Tiranës në zyrë, pa akuzë ndaj tij, por mbi dyshime për bashkëshorten në një veprimtari të një OJQ-je. Aq i dukshëm ishte motivimi personal i prokurorëve, saqë për çdo përpjekje për të mbrojtur shkeljet që ata bënin ndaj Veliajt, përfshirë edhe fyerjet verbale në sallën e gjyqit, ata i shtonin nga tre akuza në javë, shumica pa bazë ligjore, pa fakte penale dhe pa realitet faktik.
E njëjta gjë u bë me Ilir Beqajn. I përfshirë në akuzë për koncesionin e sterilizimit – një nga koncesionet më të mira të bëra në fushën e shëndetësisë, që ka shpëtuar mijëra jetë – befas, me kërkesë të gjykatës dhe përtej prokurorisë, u kërkua që ai të konsiderohej pjesë e një grupi kriminal bashkë me zëvendësministrin. Ky ishte një hap larg zyrës së kryeministrit, pasi në fakt koncesioni është politikë e qeverisë, jo e Beqajt apo zëvendësministrit.
Tani ka trokitur në dyert e kryeministrisë. Belinda Balluku është pezulluar nga detyra me vendim gjykate dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit pasi konsiderohet e pandehur. Vendimi është i debatueshëm, pasi SPAK ka anashkaluar parlamentin duke vendosur masa sigurie që cenojnë imunitetin, si ndalimi i udhëtimit ose arresti me burg. Këtu ka debat edhe për cënim të rëndë të imunitetit qeveritar, edhe për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në pushtetin ekzekutiv
Është pak a shumë ajo që bënë me Veliajn: meqë ai nuk kishte imunitet, e çuan direkt në burg 9 muaj para se të ngrinin akuzën. Dhe më pas, përmes Ulsiut, zbatuan një regjim të posaçëm kriminal për ta linçuar edhe fizikisht – regjim që vazhdon ende pa shumë shpjegime nga qeveria. I gjithë ky agresion ndaj të drejtave ligjore të të pandehurve politikë – përfshirë Ilir Metën – për arrestimet e tyre të parakohshme, në fakt ka krijuar një pol të ri pushteti në Shqipëri: Republikën e Prokurorëve.
Kryeministri Edi Rama e ka pranuar këtë realitet dhe nuk ka ndërmarrë asnjë nismë ligjore për të frenuar disa fenomene që më shumë se drejtësi janë politikë me drejtësinë. Ky është arrestimi i parakohshëm i zyrtarëve të lartë për korrupsion apo pezullimi nga detyra, siç ndodhi në këtë rast. Me sa duket I shijoi më shumë rmbështetja ndaj Shqipërisë në kancelaritë perëndimore dhe hovi që i dha kjo klimë ritmit të pranimit të Shqipërisë në BE, duke hapur gjithë kapitujtë.
Tani, një betejë e re verbale si ajo që nisi procesin ndaj Veliajt nuk ka kuptim. Kryeministri duhet të ruajë pavarësinë e pushtetit të tij dhe nëse konstaton krizë kushtetuese, duhet t’i drejtohet vetë Gjykatës Kushtetuese në emër të qeverisë. Kjo është një betejë që duhet ta bëjë ai. Nuk ka nevojë për debate televizive apo sulme nëpër gazeta. Ose vepron vetë, ose vazhdon të mbrojë retorikën e deritanishme: drejtësia ka punën e saj, ai ka të vetën.
Një shprehje e Gjykatës Kushtetuese për këtë problem është një gur më shumë në kulturën juridike që duhet të ndërtojmë për të zgjidhur krizën mes institucioneve. Ata duhet të shprehen shpejt dhe me përgjegjësi, si institucion që garanton rendin kushtetues të Republikës. Deri atëherë, qeveria duhet të zbatojë vendimin e gjykatës dhe ta lërë krizën të përballet në institucione dhe jo në debate publike, për t’i treguar njëri tjetrit kush është më i fortë.
Po të ishte Sali Berisha, do ta kishte zgjidhur për pesë minuta: do ta shpallte grusht shteti, siç në fakt ka shenja, do ta quante Dumanin “horr bulevardesh”, do të ngrinte një komision hetimor dhe do ta shkarkonte. E njohim atë kohë dhe nuk duhet të kthehet më, edhe pse pati shumë “suksese” me atë metodë. Tani e vetmja rrugë është beteja ligjore dhe një formulim i qartë nga Gjykata Kushtetuese për këtë krizë – formulim që do të vlejë edhe për të ardhmen.
Edhe analisti Baton Haxhiu e nis reagimin e tij me togfjalëshin ‘Republika e prokurorëve po ngrihet’. Njëjtë si Yllli Manjani, sipas tij vendimi i shkarkimit të Belinda Ballukut nga GJKKO, tregon se gjykata po zëvendëson kryeministrin. Sipas tij, pushteti varet nga vula e gjyqtarëve. Ai e sheh vendimin si një akt politik dhe jo juridik. Haxhiu arsyeton se drejtësia mund të kërkojë heqjen e imunitetit, mund të kërkojë arrest me burg, mund të kërkojë çdo masë tjetër që kufizon individin, por nuk mund të japë masa që prekin ekzekutivin dhe nuk mund të ndërhyjë në përbërjen e qeverisë. Analisti shprehet se pas këtij vendimi, rëndësi ka nëse pranojmë që një zëvendëskryeministër të pezullohet me një firmë gjykatësi pa autorizimin e atyre që Kushtetuta u jep kompetencën për ta bërë këtë.
Nga Baton Haxhiu
Republika e prokurorëve po ngrihet pa votë, kur një masë sigurie bëhet akt qeverisjeje dhe gjykata tenton të zëvendësojë Kryeministrin në kufirin e parë të një grushti shteti pa tanke. Nesër Gjykata e Posaçme mund ta emërojë vetë zëvendëskryeministren e Edi Ramës. Sepse me vendimin nr. 118 datë 19 11 2025 ajo mori një kompetencë që nuk ia jep as Kushtetuta as ligji. Pezulloi numrin dy të qeverisë nga detyra sikur të ishte organ emërues. Sikur pushteti ekzekutiv të varej nga vula e gjyqtarëve dhe jo nga vota e qytetarëve. Dhe ky është thelbi. Jo fati penal i Belinda Ballukut. Por fakti që një gjykatë i tregoi Kryeministrit se kush komandon ekzekutivin.
Me një vendim të vetëm GJKKO i dërgoi një mesazh politik qeverisë. Ne vendosim kush rri dhe kush ikën nga kabineti. Ne vendosim kur qeveria mbetet pa numrin e saj dy. Ne vendosim kush mund të ushtrojë pushtet ekzekutiv. Sepse masa “pezullimi i ushtrimit të detyrës” për një zëvendëskryeministre nuk është masë sigurie. Është akt qeverisjeje. Është ndërhyrje në thelbin e pushtetit.
Vendimi në vetvete e pranon këtë. Në pikën e parë të tij thuhet qartë se gjykata ka vendosur “pezullimin nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë”. Pra gjykata e ka të qartë se çfarë funksioni po pezullon. Dhe pikërisht për këtë akti nuk është më juridik. Është politik. Është institucional. Është kompetencë që s’i takon.
Sigurisht që drejtësia ka të drejtë të hetojë ministra. Ka të drejtë të kërkojë masa sigurie ndaj kujtdo zyrtari publik. Por nuk ka asnjë të drejtë të zgjedhë qeverinë. Të marrë për vete rolin që Kushtetuta ua jep qartësisht tre institucioneve dhe vetëm atyre. Kryeministri propozon. Presidenti dekreton. Kuvendi miraton. Këtu fillon dhe mbaron skema e emërimit dhe shkarkimit të ministrave dhe të zëvendëskryeministrit. GJKKO nuk është as Kryeministër. As President. As Kuvend. Nuk ka mandat të ndërtojë qeveri paralele përmes masave të sigurimit.
Kjo nuk ka lidhje me fajësinë e Belindës. Kjo është çështje shteti. Sepse zëvendëskryeministri është njeriu që drejton vendin në mungesë të Kryeministrit. Nëse Kryeministri është i pamundur të ushtrojë funksionet e tij, vendi mbahet nga zëvendësi. Dhe nëse zëvendësi është pezulluar nga gjykata, zinxhiri i ushtrimit të pushtetit këputet. Pra vendi hyn në vakum ekzekutiv. Pra qeveria ngelet pa kokë rezervë. Pra gjykata ndërhyn në mekanizmin e vazhdimësisë së shtetit. Askush nuk e ka këtë të drejtë.
Dhe këtu qeveria nuk ka të bëjë vetëm me një emër. Ka të bëjë me funksionin. Me parimin. Me kufirin mes pushteteve.
Belinda Balluku nuk është vetëm ministre. Ajo është deputete e zgjedhur. Dekretuar si ministre nga Presidenti. Miratuar nga Kuvendi. E propozuar nga Kryeministri. Pra me dyfish imuniteti. Imunitet ekzekutiv dhe parlamentar. Imunitet që nuk e mbron personin por institucionin. Njeriun jo. Funksionin po.
Me masën “ndalim i daljes jashtë shtetit” gjykata ka futur parlamentin në një spirale si ajo e rastit Berisha ku vetë Kuvendi e konsideroi masën si formë të kufizimit të lirisë së një deputeti. Por në rastin e Ballukut kemi më shumë. Sepse nuk kufizohet vetëm liria e një deputeti. Kufizohet ushtrimi i pushtetit ekzekutiv. Dhe kjo nuk është më masë sigurie. Ky është akt me pasoja kushtetuese.
Drejtësia mund të kërkojë heqjen e imunitetit. Mund të kërkojë arrest me burg. Mund të kërkojë çdo masë tjetër që kufizon individin. Por nuk mund të japë masa që prekin ekzekutivin. Nuk mund të ndërhyjë në përbërjen e qeverisë. Nuk mund të sillet sikur është organ vendimmarrës i pushtetit ekzekutiv. Kjo është linja që nuk kalohet. 
Edi Rama duhet të shkojë deri në fund në Gjykatën Kushtetuese. Sepse nëse sot pranon në heshtje që një gjykatë të pezullojë zëvendëskryeministren pa pëlqimin e Kuvendit, pa procedurë dhe pa dialog kushtetues, nesër e njëjta gjë mund të ndodhë me cilindo ministër. Madje edhe me vetë Kryeministrin. Mjafton një interpretim kreativ i nenit “rrezik për prishjen e provave”. Ky është mekanizëm që çmontuar pushtet. Ky është precedent.
Rama nuk mund të thotë “e zgjidhim politikisht”. Sepse kjo nuk është çështje politike. Është çështje kushtetuese. Nëse sot nuk vihet kufiri, nesër SPAK e GJKKO do kenë de facto fuqinë për të projektuar qeveri të reja përmes dosjeve dhe masave të sigurimit. Dhe kjo nuk është më drejtësi. Është inxhinieri politike. Është rishkrim i sistemit përmes vendimeve penale. Jo përmes votës.
Këtu hyn edhe roli amerikan. Departamenti i Drejtësisë, OPDAT, Ambasada e SHBA-ve kanë investuar vite të tëra për SPAK-un. Kanë dhënë legjitimitet moral dhe politik. Kanë garantuar mbështetjen ndërkombëtare.
Por tani, pikërisht për këtë, duhet të jenë të parët që kërkojnë respektimin e procedurave. Sepse një drejtësi që perceptohet si e mbështetur nga amerikanët nuk mund të veprojë jashtë kornizës kushtetuese pa dëmtuar vetë reformën. SPAK nuk është projekt për të zgjedhur qeveritë e Shqipërisë. Është projekt për të gjykuar korrupsionin. Dhe këto dy role nuk duhen dhe nuk mund të përzihen. Vetëm nëse ajo ka lobuar dhe vendos që kështu të ndodh dhe shpeshherë nuk pyet fare për procedura.
Belinda Balluku nuk është problemi. Është shembulli. Është testi. Është kokë turku e një sistemi që kërkon të tregojë forcë duke kaluar përmes rrugës më të rrezikshme. Drejtësia nuk mund të jetë arkitekte e ekzekutivit. Nuk mund të jetë pushteti që shemb dhe ndërton qeveri. Kjo tingëllon si luftë ndaj korrupsionit por në thelb është përçarje e pushteteve. Është rrëshqitje në republikën e prokurorëve. Grusht shteti pa tanke. Grusht shteti me masa sigurie.
Në këtë moment nuk ka rëndësi nëse Belinda është fajtore apo jo. Këtë e thotë gjykata me proces. Rëndësi ka nëse pranojmë që gjykata të bëhet vetë proces politik. Rëndësi ka nëse pranojmë që një zëvendëskryeministër të pezullohet me një firmë gjykatësi pa autorizimin e atyre që Kushtetuta u jep kompetencën për ta bërë këtë. Rëndësi ka nëse i hapim rrugë një precedenti që nesër mund të përdoret kundër kujtdo. Edhe kundër atyre që sot brohorasin.
Dita e sotme nuk është dita e Belindës. Është dita kur u prek një gur themeli i shtetit. Është dita kur gjykata provoi të tregojë se kush zgjedh qeverinë. Dhe nëse nuk ka një reagim kushtetues menjëherë, atëherë vendi nuk po rrezikon një krizë. Vendi po rrezikon një model të ri pushteti. Pa votë. Pa debat. Pa parlamentarizëm.
Një republikë ku gjykata i tregon Kryeministrit se kush duhet të jetë zëvendëskryeministër. Ky është kufiri. Dhe ky kufi s’mund të kalojë.
Në këtë pikë teksa vendimi lexohet si një ndërhyrje në pushtet nga ana e drejtësisë, ‘sytë; kthehen nga Kryeministri Edi Rama. I takon kreut të qeverisë që para vendimit për shkarkimin nga detyra të zv.kryeministres për ta zëvendësuar atë, por ende nuk dihet se si do të veprohet dhe a do të ketë një dorëheqje nga Balluku.