Balluku mbi 4 orë brenda Kryeministrisë, nuk i del nga zyra Edi Ramës

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndodhet prej më shumë se katër orësh në ambientet e Kryeministrisë, në një takim me kryeministrin Edi Rama.

Rreth orës 16:00 në godinë është parë të hyjë edhe Ulsi Manja, kryetari i Komisionit të Ligjeve, duke shtuar interesin mbi natyrën e diskutimeve që po zhvillohen.

Balluku mbërriti rreth orës 12:40, ndërsa ora 17:00 ka kaluar dhe ajo vijon të qëndrojë brenda godinës, vetëm pak orë pasi u publikua vendimi i GJKKO-së për pezullimin e saj nga detyra nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, në lidhje me tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe.

Ndërkohë, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët kanë marrë shkresën zyrtare përkatëse, janë urdhëruar të njoftojnë Ballukun për masat e sigurisë të vendosura nga Gjykata e Posaçme. Qëndrimi i saj i zgjatur në Kryeministri ka rritur interesin publik dhe ka shtuar pikëpyetjet mbi presionet politike, mbështetjen brenda mazhorancës dhe mundësinë e një reagimi të koordinuar institucional.

Burime bëjnë me dije se, përveç masës ndaj Ballukut, GJKKO ka caktuar edhe “arrest në shtëpi” për dy drejtues të tjerë të rëndësishëm:

Erald Elezi, kreu i KESH-it

Gentian Gjyla, kreu i ARRSH-së