PAMJE NGA TAKIMI
TIRANË-Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani ka zhvilluar një vizitë dyditore në Bruksel. Dumani u takua me zyrtarë të lartë të BE-së: Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm i DG NEAR; Salla Saastamoinen, Drejtoreshë në detyrë e Përgjithshme në OLAF; Irena Moozová, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e DG JUST; Marko Makovec, Shef i Kabinetit të Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos dhe Alexander Winterstein, Shef i Kabinetit të Komisionerit për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner.
Vizita dëshmon për arritjet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa të gjithë bashkëbiseduesit vlerësuan forcën, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e SPAK-ut, si dhe bashkëpunimin e tij të ngushtë me agjencitë e BE-së, vendet anëtare dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Ndërkohë ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato u shpreh se BE do të jetë mbështetëse e fortë e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndër të tjera Gonzato theksoi se rezultatet e SPAK duhet të ruhen edhe pas largimit të Dumanit, pasi janë kyçe për sigurinë e Shqipërisë e për forcimin e sundimit të ligjit.
Ambasadori Silvio Gonzato: BE-ja ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e fortë e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë dhe mashtrimit, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. Ruajtja e rezultateve solide të SPAK-ut edhe nën drejtimin e tij të ri në vitin 2026 e më tej do të jetë kyçe për vazhdimin e progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Kjo është e rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë dhe të BE-së dhe për forcimin e sundimit të ligjit. SPAK-u nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Edhe institucionet e tjera shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre.
Kujtojmë se mandati 3-vjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK përfundon në 18 dhjetor 2025, pasi këtë detyrë e mori më 16 dhjetor 2022. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9 vjeçar. Caktimi i kreut të ri të SPAK, ka vënë në lëvizje dy nga ambasadat kryesore në vend: SHBA dhe BE.
Sipas nenit 20 të rregullores së KLP-së, kandidati që merr më shumë vota zgjidhet kreu i SPAK-ut. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, KLP kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash./ZËRI
