Alarm në fluturimin Londër–Tiranë: 5 pasagjerë sëmuren në bord, avioni devijon dhe kthehet në Londër

Një avion i nisur nga Londra për në Tiranë është detyruar të devijojë rrugën dhe të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar pasi pesë pasagjerë janë sëmurur papritur gjatë fluturimit.
Fluturimi, i nisur nga Luton Airport, pritej të mbërrinte në aeroportin “Nënë Tereza” në orën 10:55. Por teksa avioni ndodhej mbi territorin gjerman, ekuipazhi ka raportuar se disa pasagjerë kishin pësuar gjendje të fikëti dhe shqetësime të rënda shëndetësore.

Sapo është informuar, piloti ka marrë vendimin të devijojë drejt destinacionit fillestar – Londrës – pasi në atë moment ishte më afër se sa të vazhdonte drejt Tiranës.

Në aeroportin britanik kanë mbërritur pesë ambulanca, të cilat janë vendosur në pistë për të transportuar pasagjerët e prekur. Ende nuk dihet shkaku i sëmundjes së tyre, ndërsa autoritetet britanike po kryejnë verifikimet e para.

Udhëtarët e tjerë pritet të nisen drejt Tiranës më vonë
Pjesa tjetër e pasagjerëve do të udhëtojë drejt Tiranës me një fluturim tjetër, çka ka shkaktuar vonesa të konsiderueshme. Situata ka sjellë pasoja zinxhir edhe në fluturimet e linjës Tiranë–Londër nga Rinas, të cilat janë prekur për shkak të kthimit të avionit.
Autoritetet aeroportuale nuk kanë dhënë ende detaje shtesë për ngjarjen dhe gjendjen shëndetësore të pesë personave të sëmurë.