Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për pezullimin nga detyra të Zëvendës Kryeministres Belinda Balluku. Në një deklaratë nga selia e PD, deputeti Klevis Balliu e cilësoi veprimin e Kryeministrit Edi Rama si burracak dhe faktin që shkarkimi u bë nga drejtësia tregon sipas tij, për panik total.
PD akuzon Edi Ramën se e ka përdorur drejtësinë për të hequr qafe zëvendësen e tij, duke e trajtuar atë si “dëm kolateral” dhe si një “e keqe prej së cilës duhet të shpëtonte sa më parë”. Balliu theksoi se dyshja Rama-Balluku treguan se nuk njohin institucionin e dorëheqjes.
PD sugjeroi se Rama i është përgjigjur kërcënimit të Ballukut – “po rashë unë, do të të marr me vete” – jo duke kërkuar dorëheqjen siç e kërkon përgjegjësia politike, por me “pritë pas shpine” përmes drejtësisë. Klevis Balliu deklaroi se sot të dy janë të poshtëruar, si Rama dhe Balluku, sepse ata janë në qendër të një labirinti krimi e korrupsioni, një rrethi vicioz ku kokat priten, por sistemi i së keqes qëndron.
Partia Demokratike ritheksoi qëndrimin e saj se Edi Rama është koka e sistemit narkos dhe pa rënien e tij nuk ndryshon asgjë.
PD: Burracaku Rama po përdor drejtësinë për të hequr qafe Belinda Ballukun
