KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit të Lezhës, Bardhyl Shehu

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën më 19 nëntor lënien në fuqi të shkarkimit të prokurorit të Lezhës, Bardhyl Shehu. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga gjyqtarja Albana Shtylla, me relatore Mimoza Tasin dhe anëtarë gjyqtarët Sokol Çomo, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit në prokurorit Shehu ndaj vendimarrjes së Komisionit. Vendimi i KPA është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Prokurori Bardhyl Shehu u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 10 gusht 2023 për probleme në kriterin e pasurisë dhe cënim të besimit të publikut tek drejtësia.
Bardhyl Shehu e nisi karrierën në vitin 1985 dhe punoi për gati dy dekada si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2005 dhe punoi në Prokurorinë e Kurbinit. Pas miratimit të hartës së re gjyqësore dhe deri në shkarkimin nga detyra, Shehu e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.