S’ka “tym të bardhë” në Kosovë! Presidentja Osmani shpërndan Kuvendin, pritet shpallja e zgjedhjeve

mbledhja

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka nënshkruar të enjten vendimin për të shpërndarë Kuvendin, pasi nuk është arritur asnjë marrëveshje që deputetët të provojnë t’i votojnë sot disa marrëveshje me rëndësi për vendin. Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Partitë më të mëdha politike nuk kanë arritur konsensus për një mori çështjesh prej mbajtjes së procesit zgjedhor dhe për pasojë proceset janë zvarritur deri më tani.

Ky zhvillim vjen pas dështimit të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Glauk Konjufca, për të siguruar shumicën e nevojshme të votave në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë së re. Glauk Konjufca dështoi të zgjidhej kryeministër i Kosovës pasi nuk mori 61 votat e nevojshme në seancën e jashtëzakonshme. Për votuan 56, kundër 53 dhe katër abstenime.
Më 26 tetor, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dështoi të siguronte votat e nevojshme për formimin e qeverisë. LVV-ja i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Pas dështimit për formimin e Qeverisë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme Parlamentare./ZËRI