belinda balluku
TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet në drejtim të numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku, për të cilën Gjykata vendosi sot masën e pezullimit nga detyra dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit. Përveç saj Gjykata e Posaçme miratoi dhe masën e arrestit të shtëpisë për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kreun e Korportatës Energjitike Shqiptare Eduard Elezi. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n, se përveç tenderit për tunelin e Llogarasë, Balluku dhe vartësit e saj janë marrë nën hetim dhe për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe në Tiranë. Ky tender me vlerë 19 milionë euro, është fituar nga bashkimi i operatorëve “Alko Impkeks General Construction” shpk dhe “2 T” shpk.
GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për të pezulluan Ballukun nga ushtrimi i funksioneve publike, për shkak se mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban.
Balluku mund të dalë jashtë vendit vetëm me një leje të veçantë që prek rastet e familjarëve dhe të rënda shëndetësore. /ZËRI
