GJKKO konfirmon pezullimin e Ballukut: Masat e sigurimit kanë karakter sekret

Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masat e sigurisë për zv.kryeministren Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është marrë e pandehur nga SPAK.
“Lidhur me lajmin e publikuar në media për caktimin e masave të sigurisë ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun.
Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës”, thuhet në reagim.
Gjykata e Posaçme ka dhënë dy masa sigurie për Belinda Ballukun, pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit si zv. Kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe ndalim i daljes jashtë vendit, masa të shpallura pasditen e djeshme.
Vendimi është dhënë nga gjyqtari Erion Çela, i kërkuar nga prokurori Dritan Prençi, nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Burime bëjnë me dije se ndaj zv.kryeministres Ballukurëndojnë akuzat për shkelje të barazisë në tendera lidhen me çështjen e tunelit të Llogorasë dhe për lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë.