Anulohet seanca ndaj 2 të akuzuarve për spiunazh me Serbinë, çfarë kërkoi gjykata

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur të enjten se ka anuluar seancën gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për spiunazh, Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, meqë trupi gjykues ka urdhëruar një ekzaminim për gjendjen mendore të Shabanit.

Propozimin për këtë ekzaminim e ka bërë mbrojtja e tij, ndërsa Gjykata ka bërë të ditur se pret që procedura të përfundojë brenda një kohe të shkurtër.

Shabani dhe Qerimi akuzohen për spiunazh për Serbinë, ndërsa të dy janë deklaruar të pafajshëm.

Në mesin e akuzave kundër tyre përfshihet dhënia e informacioneve për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) prej periudhës së luftës në Kosovë, e deri në periudhën e arrestimit të tyre më 2024.

Sipas autoriteteve të Kosovës, ata e kanë rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin kushtetues juridik dhe sigurinë e Kosovës.

Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se kanë spiunuar për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në mesin e tyre është Fatmir Sheholli, të cilit i është vazhduar së fundmi masa e paraburgimit.

Në qershor të këtij viti, autoritetet e drejtësisë në Kosovë e kanë dënuar me pesë vjet burgim Aleksandar Vllajiçin, pasi ai e ka pranuar fajësinë për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar BIA-s serbe.

Në një rast tjetër po gjykohet edhe serbja Jellena Gjukanoviç, e cila akuzohet për spiunazh për inteligjencën serbe. Ajo e ka mohuar fajësinë.