Përmbytjet në Lezhë/ Banori i Tales: Pompat e hidrovorit i lanë të fikura gjithë natën

Niveli i ujit në zonën kënetore të fshatit Myltes në Tale të Lezhës është rritur ndjeshëm gjatë natës, duke shkaktuar përmbytje në disa rrugë, oborre banesash dhe toka bujqësore. Sipas banorëve, situata është rënduar pasi argjinatura e kanalit kryesor është çarë.
Njëri prej banorëve pretendon se pompat e hidrovorit u mbajtën të fikura gjatë gjithë natës, duke lejuar që uji të depërtojë drejt zonave të banuara. Mosfunksionimi i pompave të hidrovorit ka bërë që niveli i ujit të rritet më shpejt dhe presioni të shtohet mbi argjinaturën tashmë të dëmtuar.
“Në fshatin Tale të Lezhës janë këto hidrovorët dhe i kanë fikur natën që të përmbytet vendi. I kanë ndezur vetëm kur më kanë parë mua,” është shprehur banori, duke ngritur shqetësimin se mungesa e ndërhyrjes në kohë mund të ketë kontribuar në përkeqësimin e situatës.
Përballë rrezikut të përmbytjeve të mëdha, banorët i bëjnë thirrje kryebashkiakut Pjerin Nreut dhe strukturave të emergjencave civile të ndërhyjnë menjëherë, të rivendosin funksionimin normal të hidrovorit dhe të riparojnë argjinaturën, për të shmangur dëme të tjera në zonë.