Debati mbi emigrantët shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar është ndezur sërish, por rrënjët e problemit shtrihen thellë në dinamikat e politikës së brendshme britanike dhe në veprimet e qeverisë shqiptare. Ekspertët argumentojnë se shqiptarët janë shndërruar në një ‘kokë turku’ në një betejë politike më të gjerë.
Anëtari i Brain Gain, Daniel Nikolla, i ftuar në emisionin Kafe Shqeto, ngriti shqetësimin se ndërhyrjet e Kryeministrit Edi Rama në debatin për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe jo vetëm që nuk kanë ndihmuar, por kanë prodhuar efektin e kundërt. Sipas Nikollës, mënyra konfrontuese e Ramës, deklaratat e pamenduara dhe tentativat e tij për të “intimiduar” politikanët britanikë kanë ekspozuar edhe më shumë komunitetin shqiptar, duke i kthyer ata në një shënjestër të lehtë në klimën e tensionuar politike të Londrës.
Ai theksoi se kryeministri, në vend që të mbronte shqiptarët, ka ushqyer narrativat negative, duke krijuar hapësirë që figura të ekstremit të djathtë dhe politika të brendshme britanike të përdorin shqiptarët si pretekst për përfitime elektorale. Në këtë situatë, sipas Nikollës, shqiptarët po paguajnë koston e një diplomacie të keqmenaxhuar dhe të një komunikimi politik që u ka sjellë më shumë dëm sesa dobi.
Pjesë nga deklarata:
Mendoj që panorama nuk është shumë e plotë, por për ata që duan ta shikojnë, është më se e plotë, sepse çdo gjë që ka thënë, është folur. Edhe në momentin që është munduar të intimidojë politikanët britanikë, paçka se politika në Britani funksionon ndryshe nga ajo që kryeministri pretendon të bëjë, i ka dalë për keq çdo azilkërkuesi apo emigranti shqiptar në Britaninë e Madhe. Që në vitin 2022, kur ishte kulmi i Covid-it në gjithë botën, edhe pse me ato uljet e ngritjet e veta, i duhej të tërhiqte vëmendjen për të bërë një marrëveshje tjetër me Boris Johnson. Ai e shtyu më tej çdo vit, duke bërë marrëveshje të ndryshme nëpërmjet ministrave të ndryshëm apo edhe vetë nëpërmjet figurës së tij. Dhe kur bëri takimin me Rishi Sunak, tentoi që ta bënte të ndihej më i vogël për shkak të gjatësisë. E njëjta gjë vazhdoi edhe me Keir Starmer, tashmë që ishte kryeministër.
Vizita e tij e fundit, në gjykimin tim, në Britaninë e Madhe, çdo gjë që tha që nga problemet e mëdha që Britania paska pasur pas daljes nga Brexit-i, ekonomia e dobët, e të tjera bën që, edhe pse kemi ndryshim qeverie, edhe pse janë ato që ai i quan parti si motra të tyre në qeverisjen britanike të ditëve të sotme, të ripërmendin shqiptarët në mes të parlamentit, edhe pse numrat e shqiptarëve, në krahasim me numrat e bashkëpatriotëve të prindërve të sekretares në Britaninë e Madhe por edhe të shumë të tjerëve në Partinë Laburiste, janë shumë herë më të mëdhenj se azilkërkuesit shqiptarë, e të tjerë e të tjerë.
Unë gjykoj që kjo, tashmë, jo vetëm si linjë ashtu siç u përmend në fillim të emisionit por është edhe një kundërsulm kundrejt asaj marrëdhënieje që kryeministri deri diku krijoi me Nigel Farage, nëpërmjet postimeve pa koherencë politike, por edhe, sigurisht, një hakmarrje tjetër në lidhje me shqiptarët, për shkak të asaj që përfaqëson politikisht Shqipëria.
