Lumi vjosa-tale e lezhës
TIRANË- Vendi ynë vijon të jetë nën ndikimin e motit të keq prej disa ditësh, teksa situata problematike janë regjistruar në disa zona të vendit. Në zonën e Tales, rritja e nivelit të ujit në lagunë ka dëmtuar argjinaturën, duke bërë që uji të depërtojë drejt zonave të banuara. Gjatë natës, mjetet e tonazhit të rëndë kanë punuar pa ndërprerje për të forcuar argjinaturën dhe për të minimizuar pasojat.
Lumi Vjosa në zonën e Novoselës ka arritur në pikën kritike të tij. Prurjet kanë vijuar gjatë gjithë natës duke bërë që lumi të dalë nga shtrati pranë urës së Mifolit. Niveli i lumit ka arritur në 7.10 metra, çka ka bërë që tre banesa pranë urës së Mifolit të jenë të përmbytura. Ndërkaq, nuk ka probleme në akset rrugore të cilat janë të kalueshme.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qarkun e Gjirokastrës. Sheper, rruga që lidh Zagorinë me Poliçanin rrezikon të bllokohet. Ndërsa rruga Suhë-Poliçan është bllokuar. Dëmtime ka pësuar dhe ujësjellësi, e për pasojë disa fshatra kanë mbetur pa ujë.
Në Bashkinë e Fushë Arrëzit raportohet për shkarje dherash, gurësh dhe vërshime uji në rrugët rurale, duke vështirësuar qarkullimin. Gjithashtu ka ndërprerje të shkurtra të energjisë elektrike në disa fshatra. Problematika paraqiten edhe në Bashkinë Pukë, ku raportohet për dëmtime në disa rrugë rurale në Njad Gjegjan dhe Luf-Qerret./ZËRI
