Dështoi krijimi i qeverisë! Presidentja Osmani, thërret partitë për të diskutuar datën e zgjedhjeve

vjosa osmani

KOSOVË- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar partitë politike parlamentare në një takim konsultativ pas dështimit të formimit të qeverisë. Mbledhja do të nisë në orën 10:30, me qëllim caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Në ftesën zyrtare që u është dërguar partive thuhet: “Ftoheni në një takim të përbashkët konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.
Ky zhvillim vjen pas dështimit të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Glauk Konjufca, për të siguruar shumicën e nevojshme të votave në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë së re. Glauk Konjufca dështoi të zgjidhej kryeministër i Kosovës pasi nuk mori 61 votat e nevojshme në seancën e jashtëzakonshme. Për votuan 56, kundër 53 dhe katër abstenime.

Takimi i thirrur nga Presidentja Osmani pritet të jetë vendimtar për përcaktimin e hapave të mëtejshëm drejt organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare.
Pas dështimit për formimin e Qeverisë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme Parlamentare. Tashmë mbetet në dorën e presidentes Vjosa Osmani që të shpallë dekretin për shpërbërjen e Kuvendit dhe të caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme./ZËRI