Shahinaj: Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë trefishuar, të rinjtë nuk e përballojnë më blerjen e një shtëpie

Gazetarja e ekonomisë dhe autorja e programit “Kush Paguan”, Flavia Shahinaj, e ftuar në një emision televiziv, komentoi të dhënat më të fundit të KeyData mbi çmimet e apartamenteve ekzistuese në Tiranë, duke theksuar se rritja e tyre ka prekur drejtpërdrejt jetën e familjeve shqiptare.

Shahinaj u shpreh se shifrat nuk janë më thjesht tregues statistikore, por realitet të cilin qytetarët e ndeshin çdo ditë. Sipas saj, rritja drastike e çmimeve ka bërë pothuajse të pamundur që të rinjtë të blejnë një apartament, duke ndikuar në shtyrjen e martesave, uljen e lindshmërisë dhe rëndimin e buxhetit familjar.

Duke iu referuar të dhënave historike të KeyData, Shahinaj solli një krahasim të çmimeve nga viti 2005 deri më sot:

• Njësia nr. 1 (Shkozë, Sauk, Farkë, Bregas): nga 670 €/m² në vitin 2005 në 1522 €/m² sot.

• Njësia nr. 2 (zona qendrore: Piramida, stadiumi, Pazari i Ri): nga 696 €/m² në 2005 në 2010 €/m² sot, një çmim që sipas saj është madje më i ulët se realiteti i tregut.

• Njësia nr. 3 (Porcelan, Kinostudio): nga 512 €/m² në 2005 në 1503 €/m² sot, duke shënuar trefishim.

• Njësia nr. 4 (Oxhaku, 5 Maji): nga 492 €/m² në 2005 në 1524 €/m² sot.

• Njësia nr. 5 (Ish-Blloku, Liqeni Artificial, Komuna e Parisit, Kopshti Botanik): nga 692 €/m² në 2005 në 2153 €/m² në vitin 2025, megjithëse Shahinaj theksoi se çmimi real në këto zona është edhe më i lartë.

Ajo nënvizoi se këto të dhëna i referohen vetëm apartamenteve ekzistuese, ndërkohë që çmimet e ndërtimeve të reja dhe kullave janë ndjeshëm më të larta.

Shahinaj:

Faktikisht, këto shifra janë reale. Nuk janë më thjesht të dhëna statistikore. Janë shifra reale që çdo familje shqiptare i ndesh përditë. Dhe kjo ndikon drejtpërdrejtë tek grupmosha e të rinjve.

Me rritjen e çmimeve është bërë e papërballueshme për ta që të blejnë një apartament, siç ka funksionuar më përpara. Një martesë, pastaj vinte blerja e apartamentit, fëmijët e me radhë.

Dhe kjo ndikon të gjitha, tek martesat, te shtyrja e martesës, tek lindshmëria dhe te buxheti familjar, patjetër. Siç mund ta shohim, në vitin 2005, në zonën  tek njësia numër një, që përfshin Shkozë, Sauk, Farka, Bregas e të tjerë, ka qenë çmimi 670 metër katror sipas…
Ka qenë 670 euro metri katror në 2005-ën dhe shohim që ka shkuar 1522.

Shohim tek njësia numër 2 që përfshin në zonën qëndrore, Piramidën, stadiumin, Pazarin e Ri dhe në vitin 2005 ka qenë me 696 euro. Sot 2010 euro.

Dhe të saktësoj diçka, sepse këto të dhëna janë për apartamentet që janë ekzistues. Apartamente ekzistues. Jo ndërtimet e reja apo kullat.

Te stadiumi, Pazari i Ri nuk janë me 2000 euro domethënë. Madje dhe me 2000 euro është një shifër pak më e ulët se realiteti besoj. Kalojmë tek njësia bashkiake numër tre, që përfshin Porcelan, Kinostudio. Në 2005-ën ka qenë 512 euro për metër katror. Sot është 1503, domethënë drejtpërdrejt trefishim çmimesh. Në njësinë bashkiake numër…

Domethënë te secila është 200-300 euro më shumë. Për ekzistueset, për apartamentet ekzistuese, kurse apartamentet e reja janë me çmime të tjera. Njësia bashkiake numër katër, që përfshin Oxhakun, 5 Majin.

Në 2005-ën ka qenë 492 euro, sot është 1524. Pak më e vogël diferenca për këtë zonë. Okej. Njësia bashkiake numër pesë, zonë qendrore, ish-Blloku, Liqeni Artificial, Komuna e Parisit, Kopshti Botanik. Në 2005-ën ka qenë 692 euro. Sot në 2025-ën… 2153. Dhe prapë mendoj që është shumë më i lartë sesa 2153…