Julien Moinil
BRUKSEL-Tetë personat e arrestuar një ditë më parë (18 nëntor) në kuadër të hetimit për kërcënimet ndaj prokurorit të Brukselit, Julien Moinil, janë liruar të gjithë. Mediat e huaja raportojnë se tetë personat u arrestuan pas 18 bastisjeve të kryera në Bruksel dhe Leuven si pjesë e hetimit në lidhje me kërcënimet me vdekje kundër prokurori të lartë, Julien Moinil i njohur për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës.
Sipas Prokurorisë Federale, të dyshuarit kryesorë kanë një të kaluar të njohur për trafik të organizuar droge dhe mendohet se janë aktivë në rrethin kriminal shqiptar. Raportohet se të arrestuarit janë pjesë e klanit V., një familje me origjinë shqiptare, e njohur për aktivitet në kontrabandën e drogës dhe e vendosur prej vitesh në Bruksel. Gjatë kontrolleve u sekuestruan gjithashtu sende të ndryshme. Tetë të dyshuarit u morën në pyetje gjerësisht por në fund u liruan për mungesë provash.
“Gjykatësi hetues vendosi t’i lirojë të dyshuarit pas marrjes në pyetje, pasi aktualisht nuk ka prova të mjaftueshme për të justifikuar arrestimin e tyre”, deklaroi zyra e prokurorit federal.
Hetimi vazhdon, përfshirë analizën e objekteve të sekuestruara gjatë aksionit. Autoritetet belge thonë se për momentin nuk mund të jepen detaje të tjera për shkak të fazës së hershme të procedurës./ZËRI
