Rama për Euronews: Krimi dhe korrupsioni është kudo dhe në Bruksel. E meritojmë futjen në BE

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për ”Euronews”, thotë se Shqipëria meriton një vend në tryezën e BE-së, duke përmendur reformat dhe mbështetjen publike. Rama tha se krimi dhe korrupsioni janë probleme serioze, por jo ekskluzive për Tiranën, pasi sips tij edhe Brukseli ka krim. ”Shqipëria meriton të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur pas një dekade reformash dhe mbështetjeje civile”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi gjatë intervistës se Shqipëria ka kaluar nëpër një transformim dhe është e përkushtuar ndaj integrimit evropian. Ai argumentoi edhe se vendi ka një histori të përkatësisë në perandori të mëdha dhe “BE është një perandori e mirë” për të garantuar lirinë dhe sundimin e ligjit. Për të krimi dhe korrupsioni janë çështje serioze dhe qeveria i trajton ato si të tilla, por Rama shtoi se kriminaliteti dhe krimi i organizuar nuk janë ekskluzivitet vetëm i Tiranës.

”Më parë njerëzit mendonin se Shqipëria ishte kjo gropë e mjerë në mes të Evropës, tani e shohin atë si pjesë të mozaikut evropian”, tha ai në programin kryesor të Euronews, The Europe Conversation. ”A kemi probleme me krimin e organizuar? Po, por kush nuk ka? Shikoni këtë qytet (Brukselin). Ky është një shembull tjetër. Por ka edhe gjëra të shkëlqyera”, shtoi ai.

Nga ana tjetër Rama ka përjashtuar zgjerimin e “modelit shqiptar” në më shumë vende përtej Italisë, edhe nëse sistemi është propozuar nga shtete të tjera anëtare në Evropë si një opsion, pasi Evropa ndjek një qëndrim më të ashpër ndaj migracionit.