Noka: Ky është buxheti i korrupsionit dhe babëzisë, qytetarët do të marrin “Noc rrokun”

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka deklaruar sot se buxheti, i cili po miratohet sot është në të vërtetë buxheti i “narkosit”. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Noka u shpreh se këto janë akte të rënda ekonomike mbi shpatullat e qytetarëve shqiptarë.
Noka tha se ky buxhet nuk është për qytetarët, pasi nuk prodhon të ardhura. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, tha se paketa fiskale, e cila u paraqit sot është fytyra e padrejtësisë së 13 viteve pushtet.
“Se çfarë buxheti po miratoni sot, nuk kishit nevojë që ta dëgjonit deri në fund; mjafton që ta dëgjonit përrallat e kryeministrit. Këto janë akte të rënda ekonomike mbi shpatullat e qytetarëve shqiptarë, të padrejtësisë sociale. Janë akte të kamufluara. Ky buxhet nuk është vetëm për ju, të dashur qytetarë, nuk prodhon të ardhura, por është për narkosin. Janë një plan financiar që ushqen pushtetin e inkriminuar, akte që shërbejnë për të përdorur shtetin si kasafortë të tyre dhe të taksave të shqiptarëve.
Nuk kemi një qeveri që mendon për qytetarët, për pensionistët, për agroturizmin, por një grusht pushtetarësh që mendojnë vetëm një gjë: si të mbajnë tepsinë plot me paratë e qytetarëve. Paketa fiskale që u paraqit sot është fytyra e padrejtësisë së 13 viteve pushtet. Është fytyra e korrupsionit. Ky është buxheti i vjedhjes, i drogës dhe i llokmave të babëzisë së pushtetarëve. Qeveria e narkos deri diku po ia paraqet si historike këtë buxhet qytetarëve. Me këtë buxhet merr “Noc rrokun”. Në narkoshtet shpërblehet hajduti dhe ndëshkohet i ndershmi. Fytyra e shëndetësisë, Onkologjiku”, tha ai.