Apeli uli dënimin për Aksel Hoxhën/ Nëna e Stiven Toshkëzit: Ma vranë djalin për herë të dytë

Apeli i Posaçëm ka dhënë një ditë më parë dënimin për Aksel Hoxhën, i akuzuar për vrasjen e Stiven Toshkëzit, ngjarje e ndodhur në vitin 2022.
Trupi gjykues, pranoi kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar, dhe e dënoi Hoxhën me 12 vite heqje lirie, nga 18 vite që ishin dhënë në shkallën e parë nga Gjykata e Tiranës.
Por ky vendim është pritur me reagime të ashpra nga familjarët të cilët ishin të pranishëm në sallë.
Nëna e Stiven Toshkëzit, është shprehur se me uljen e dënimit për autorin, djali i saj është vrarë për herë të dytë, ndërsa ka ngritur akuza se drejtësia në vend është e korruptuar.
“Sot gjyqtarët kriminelë të Gjykatës së Apelit Brikena Ukperaj, Marsela Pepi, Dritan Hasani më vranë djalin për herë të dytë. Duke ulur dënimin e shkallës së Parë nga 18 vite heqje lirie në 12 vite burg për autorin. Saga e korrupsionit ka filluar nga Gjykata e Shkallës së parë nga prokurori Albert Demineli i cili ka bërë një dosje për Stivin ku ai është i akuzuar kryesor, ndërsa vrasësi është një qytetar model. Shpresa ime ishte te drejtësia, por sot Apeli vërtetoi që është i korruptuar në rrënjë”,- është shprehur nëna e Stiven Toshkëzit.
Aksel Hoxha u shpall fajtor për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese” në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë, ku Stiven Toshkëzi humbi jetën pas një konflikti.
Viktima ka qenë duke u kthyer nga puna bashkë me një shokun e tij, ndërsa atentatorët i kishin ngritur pritë. Goditja që 20-vjeçari mori nga Aksel Hoxhaj, rezultoi fatale dhe ai humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.