Polonia ka njoftuar se do të mbyllë konsullatën e fundit ruse në qytetin verior polak të Gdanskut, pas sulmit ndaj një linje hekurudhore nga Varshava për në Ukrainë, duke fajësuar Moskën për incidentin.- Advertisement –
“Kam vendosur të mbyll konsullatën ruse në Gdansk”, u tha gazetarëve të mërkurën Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski.
Sikorski tha se e kishte paralajmëruar vazhdimisht Rusinë se prania e saj diplomatike dhe konsullore do të reduktohej më tej nëse nuk do të ndërpriste veprimet armiqësore kundër Polonisë.
Ndërkohë, i vetmi mision diplomatik rus që do të mbetet i hapur në Poloni do të jetë ambasada në Varshavë.
“Marrëdhëniet me Poloninë janë përkeqësuar plotësisht. Kjo është ndoshta një manifestim i këtij përkeqësimi, dëshira e autoriteteve polake për të reduktuar në zero çdo mundësi të marrëdhënieve konsullore ose diplomatike”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet për mbylljen e konsullatës.
“Tani mund të shpreh vetëm keqardhje. Kjo nuk ka të bëjë fare me logjikën e shëndoshë” është shprehur ai.
