Vetëm kallëzimi i Sinës në dosje, lirohen nga qelia Jeton Lamin e Florin Domi për gjobën 500 mijë €. Në burg vetëm Mezhika, Lami në kërkim

Nga Elton Qyno/

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-agjentin e operacionales Jeton Lami dhe Florin Domi, të cilët u arrestuar nga policia e Tiranës si të dyshuar për akuzën e “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes me qëllim dhënien e pasurisë”.

Arrestimi që u trumbetua me shumë bujë, në fakt u venit në dyert e gjykatës së Tiranës, e cila zbuti masat e sigurisë për dy personat, ndërsa të vetmin që la sot në burg ishte Flogert Mezhika.

Për tre personat e ndaluar, prokuroria kishte kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg”, duke u bazuar vetëm tek kallëzimi i Saimir Sinës dhe disa pamje filmike të administruara nga policia kriminale e Tiranës.

Sipas vendimit të gjykatës, në dosjen hetimore janë vetëm pretendimet e kallëzuesit Saimir Sina, i cili i ka thënë policisë se shkatërimi i lokalit të tij, ishte kryer për shkak të një gjobëvënie financiare prej 500 mijë euro të vendosur nga Ervis Lami, Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mezhika.

Saimir Sina, ka treguar se gjoba ishte vendosur në muajin shtator 2025 nga 4 personat e mësipërm, por për këtë fakt ai nuk kishte bërë kallëzim penal në policia apo qoftë dhe në prokurori.

Dy muaj pas kësaj ngjarje, Sinës i është shkatërruar lokali me tritol i cili më pas depozitoj kallëzim në policinë e Tiranës duke treguar dhe emrat e 4 personave të arrestuar.

I vetmi që vijon të jetë në kërkim për këtë ngjarje është Ervis Lami, i cili nuk është arrestuar asnjëherë nga policia e Tiranës.