‘Shqipëria injoron direktivat e BE-së’/ Begeja: Mikrobirraritë shqiptare kërkojnë taksim të drejtë dhe zbatimin e direktivave europiane

Pavarësisht aspiratave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, Shqipëria duket se po injoron direktivat thelbësore që mbrojnë prodhuesit e vegjël.

President i Shoqatës së Mikrobirrarive Artizanale Shqiptare, Xhimi Begeja, nga studioja e ‘Kafe Shqeto’ tha se direktiva europiane, si ajo 92/83, e bëjnë të qartë nevojën për një taksim të diferencuar bazuar në vëllimin e prodhimit, një masë që favorizon artizanët dhe bizneset e vogla.

“Ne kërkojmë që të zbatohen direktivat europiane. Problemi nuk është të shpikim, por të marrim modelet që funksionojnë,” u shpreh Begeja.

Ai bëri një krahasim të hidhur me vendet fqinje dhe ato europiane. “Në Mal të Zi, akciza është 5 euro, ndërsa ne e kemi 35 euro. Me Gjermaninë, diferenca është 30-fish,” tha ai, duke ilustruar absurditetin e situatës.

Prodhuesit argumentojnë se ata nuk po kërkojnë subvencione apo lëmoshë, por thjesht zbatimin e modeleve të drejta dhe të provuara europiane që do t’u lejonin të mbijetonin dhe të konkurronin në mënyrë të ndershme në treg.

Deklarata për Kafe Shqeto:

“Akciza është një taksë mbi taksën dhe ka si qëllim mbrojtjen e ambientit dhe shëndetit, por trajtimi i saj aktual ndaj birrarive të vogla dhe prodhuesve artizanalë është i padrejtë.

Birraritë e vogla dhe prodhuesit vendas janë korrektë me detyrimet e tyre fiskale, paguajnë TVSH, sigurime dhe akciza dhe nuk kërkojnë subvencione, por trajtimi i unifikuar i akcizës me birraritë e mëdha i penalizon ata, duke i demoralizuar dhe rrezikuar bizneset familjare dhe mikrobirraritë që japin kontribut të rëndësishëm për ekonominë dhe turizmin.

Për shembull, mikrobirraritë shqiptare kontribuojnë vetëm rreth 80,000 euro në akcizë, ndërsa të ardhurat totale nga akciza janë mbi 64 milionë euro. Kjo tregon se heqja ose rimbursimi i akcizës për prodhuesit e vegjël nuk do të dëmtonte shtetin, por do të nxitte zhvillimin e prodhimit vendas, punësimin dhe promovimin e produkteve “Made in Albania”.

Një taksim i drejtë duhet të bëhet sipas sasive të prodhimit dhe gradës alkoolike, siç parashikohet nga direktivat europiane (92/83, 92/84), duke ndarë birraritë dhe prodhuesit e vegjël nga kompanitë e mëdha.

Prodhuesit artizanalë, si në fushën e birrës ashtu edhe të verës, përballen me kostot më të larta të prodhimit dhe nuk mund të përfitojnë nga ekonomitë e shkallës që kanë kompanitë industriale.

Trajtimi i drejtë i akcizës, së bashku me mundësinë e subvencionimit të indirektë, do t’u jepte mundësinë të zhvillonin bizneset e tyre, të përhapnin shijen e produkteve të veçanta shqiptare dhe të kontribuonin në zhvillimin ekonomik, agrikulturor dhe turistik.

Në vendet prodhuese të verës dhe birrës, taksimi i prodhimit vendas është i diferencuar dhe shpesh i ulët, ndërsa në Shqipëri akciza për prodhimin vendas është shumë herë më e lartë, duke bërë konkurrencën të pabarabartë.

Zbatimi i një sistemi të drejtë sipas fashave të prodhimit dhe rimbursimi i pjesës së akcizës do të ishte një hap konkret për t’u përafruar me standardet europiane dhe për të mbrojtur prodhimin vendas, pa nevojën për subvencione direkte.

Në thelb, kërkohet që shteti të respektojë transparencën dhe drejtësinë fiskale: të njohë vlerën e punës dhe djersës së prodhuesve të vegjël, të mos i penalizojë me burokraci dhe taksa të padrejta, dhe të krijojë kushte që bizneset artizanale të lulëzojnë, duke dhënë një kontribut të shtuar në ekonominë dhe kulturën e vendit”.