Mbahet seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për formimin e Qeverisë

Kuvendi i Kosovës

KOSOVË- Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në orën 11:00 do të mbahet fillimisht seanca për formimin e komisioneve parlamentare, ku do të diskutohet për buxhetin dhe  marrëveshjet ndërkombëtare. Pas kësaj, në orën 14:00, Kuvendi do të mbajë një seancë të dytë të jashtëzakonshme, e cila i dedikohet zgjedhjes së Qeverisë së re, pasi mandati i mandatarit Glauk Konjufca ka mbërritur në afatin e fundit.
I mandatuari për formimin e qeverisë është Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili u mandatua nga presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor. Konjufca ka deklaruar se kërkon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor. 
Nga ana tjetër, partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe NISMA kanë paralajmëruar bojkot për seancën e buxhetit, ndërsa për votimin e qeverisë së re kanë deklaruar se do të votojnë kundër kabinetit të propozuar nga Vetëvendosja.
Më 26 tetor, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dështoi të siguronte votat e nevojshme për formimin e qeverisë. LVV-ja i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Nëse nuk arrihet shumica për formimin e Qeverisë, procesi do të çojë automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme./ZËRI