Pas votimit në OKB, Netanyahu kërkon dëbimin e Hamasit nga rajoni

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar këtë të martë që Hamasi të dëbohet nga rajoni, një ditë pas miratimit nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të planit të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës, i cili përfshin amnisti për grupin militant palestinez.

Netanyahu e kishte mbështetur publikisht planin gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë në fund të shtatorit. Megjithatë, deklaratat e tij të fundit tregojnë se ka dallime me Shtetet e Bashkuara për rrugën që duhet ndjekur. Edhe Hamasi ka kundërshtuar disa pjesë të planit.

Diplomatët thonë privatisht se pozicionet e ngurta nga të dyja palët, si Izraeli dhe Hamasi, e kanë bërë të vështirë avancimin e planit, i cili nuk përmban afate konkrete apo mekanizma zbatimi. Megjithatë, ai ka marrë mbështetje të gjerë ndërkombëtare.

Të martën, Netanyahu publikoi një seri postimesh në platformën X në përgjigje të votimit në OKB. Në një postim, ai përgëzoi Trump-in dhe në një tjetër shkroi se qeveria izraelite beson se plani do të sjellë paqe dhe mirëqenie, pasi kërkon “çmilitarizimin e plotë, çarmatimin dhe çrrënjosjen e ekstremizmit në Gaza”.

“Izraeli zgjat dorën për paqe dhe mirëqenie ndaj të gjithë fqinjëve tanë” dhe u bën thirrje vendeve fqinje që “të na bashkohen në dëbimin e Hamasit dhe mbështetësve të tij nga rajoni,” tha ai, citon Reuters.

Kur u pyet se çfarë nënkuptonte kryeministri me “dëbimin e Hamasit”, një zëdhënës tha se kjo do të thotë “të sigurohet që Hamasi të mos jetë më në Gaza, siç parashikohet në planin me 20 pika, dhe të mos ketë aftësi për të qeverisur popullin palestinez brenda Rripit të Gazës”.

Plani nuk parashikon dëbimin e Hamasit

Plani me 20 pika i Trump-it përfshin një klauzolë që thotë se anëtarët e Hamasit “që angazhohen për bashkëjetesë paqësore dhe dorëzojnë armët do të përfitojnë amnisti”, ndërsa ata që dëshirojnë të largohen do të kenë kalim të sigurt drejt vendeve të treta.

Një tjetër klauzolë parashikon që Hamasi të mos ketë rol në qeverisjen e Gazës. Nuk ka asnjë klauzolë që kërkon shpërbërjen apo largimin e grupit nga Gaza.

Plani thotë se reformat në Autoritetin Palestinez me bazë në Bregun Perëndimor mund të krijojnë kushte “për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”.

Para votimit në OKB, Netanyahu deklaroi të dielën se Izraeli mbetet kundër shtetësisë palestineze, pas protestave nga aleatët e ekstremit të djathtë në koalicionin qeveritar për një deklaratë të mbështetur nga SHBA-të që sugjeronte mbështetje për pavarësinë palestineze.

Netanyahu kundërshton gjithashtu çdo përfshirje të Autoritetit Palestinez në Gaza.

Forcë ndërkombëtare për Gazën pas luftës

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit autorizon një forcë shumëkombëshe që, sipas planit të Trump-it, do të vendoset përkohësisht në Gaza për të stabilizuar territorin. Teksti i rezolutës thotë gjithashtu se shtetet anëtare mund të bashkohen në një “Bord Paqeje” që do të mbikëqyrë rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike në Gaza.

Hamasi e ka kritikuar rezolutën duke thënë se nuk i përgjigjet “kërkesave dhe të drejtave politike e humanitare” të popullit palestinez, i cili, sipas grupit, refuzon një mekanizëm ndërkombëtar kujdestarie për Gazën.

Në një deklaratë, Hamasi tha se çdo forcë ndërkombëtare duhet të vendoset vetëm përgjatë kufijve të Gazës për të monitoruar armëpushimin dhe nën mbikëqyrjen e OKB-së, duke paralajmëruar se një forcë e tillë do të humbasë neutralitetin nëse përpiqet të çarmatosë grupin militant.

Reham Owda, analiste politike palestineze nga Gaza, tha se deklarata e Hamasit duhet parë si një kundërshtim, jo si refuzim total, në përpjekje për të negociuar mekanizmat e forcës ndërkombëtare dhe rolin e Bordit të Paqes.

Një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi më 10 tetor si pjesë e planit me disa faza të Trump për t’i dhënë fund luftës. Izraeli ka tërhequr pjesërisht forcat e tij, por ende kontrollon 53% të Gazës dhe palët kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për shkelje.

Abu Abdallah, një biznesmen i zhvendosur në Gazën qendrore, tha se palestinezët do të mbështesnin vendosjen e forcave ndërkombëtare nëse kjo do të nënkuptonte tërheqje të plotë të Izraelit.

“Hamasi nuk mund të vendosë i vetëm për fatin tonë, por gjithashtu nuk duam të heqim qafe një pushtim, Izraelin, dhe të marrim një pushtim tjetër ndërkombëtar,” tha ai përmes telefonit.