Këshilli Bashkiak i Tiranës i është drejtuar zyrtarisht SPAK dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me një kërkesë për të mundësuar pjesëmarrjen e kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen e radhës, e cila do të zhvillohet të premten, më 21 nëntor 2025, në orën 10:00, në ambientet e Bashkisë së Tiranës.
Në kërkesën zyrtare drejtuar institucioneve, Këshilli Bashkiak thekson se pjesëmarrja e Veliajt është një e drejtë funksionale e garantuar nga ligji dhe e domosdoshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve që lidhen me administrimin e Bashkisë së Tiranës.
Ne shkrese këshilli përmend dy nene të Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”:
Neni 58, pika 4: Kryetari i Bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të raportojë.
Neni 60: Parashikon bashkëpunimin e detyrueshëm ndërmjet Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit për çështje të interesit publik.
Këshilli Bashkiak kërkon që — nëse ndaj Veliajt janë duke u zbatuar masa kufizuese — institucionet të vlerësojnë:
Lejimin e përkohshëm për pjesëmarrje fizike,ose, nëse kjo nuk është e mundur,
Mundësimin e pjesëmarrjes në distancë, përmes modaliteteve të tilla si komunikim online, videokonferencë apo çdo formë tjetër të aprovuar.
Këshilli Bashkiak deklaron se është i gatshëm të bashkëpunojë për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve, me qëllim garantimin e një procesi transparent dhe funksional.
Në përfundim, organi vendor kërkon një përgjigje me shkrim mbi vendimmarrjen e institucioneve, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të funksioneve të Kryetarit të Bashkisë dhe detyrimit ligjor për raportim para Këshillit Bashkiak.
Këshilli Bashkiak kërkon leje për pjesëmarrjen e Veliajt në mbledhje/ Letër SPAK dhe Drejtorisë së Burgjeve
