Delina Ibrahimaj dhe Erion Braçe
TIRANË-Në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj raportoi për përgjegjësitë që kjo ministri ka për zgjidhjen e kërkesave të minatorëve grevistë të minierës së Spaçit.
“Pritëm në takimin përfaqësues të shoqërisë dhe minatorë në datën 4.11.2025, përfaqësues të shoqërisë gjatë takimit me informuan dhe prezantuan sipas tyre situatën. Ne i kërkuam shoqërisë kthimin e menjëhershëm të punonjësve të lëvizë në punë, për të mos përkeqësuar situatën. Gjithashtu, ju lashë detyrë strukturave drejtuese, përgjegjëse për marrëdhëniet e punës dhe strukturës së inspektorëve, të organizojnë një takim dialog tre palësh sa më tepër. Takimi u dakordësuar dhe u njoftuar, për ditën e premte në datën 7/11/2025. U njoftuan paraprakisht të gjithë ish të punësuarit dhe Konfederata, dhe nuk u realizua. Përfaqësuesit e kompanisë pranuan të kthenin menjëherë në punë 45 minatorë, ndërsa për pjesën tjetër të tyre të vlerësohet rast pas rasti. Ndërkohë që ministria u angazhua përpara takimit që do të ndiqte procesin nga afër në çdo hap të tij me qëllim sigurimin e rikthimit të të gjithë minatorëve në punë. Më 14 nëntor TETE na ka njoftuar se 15 punonjës kanë kërkuar të kthehen, 8 janë kthyer pjesa tjetër brenda muajit”, tha Ibrahimaj.
Por Ibrahimaj nuk përmendi në asnjë moment kërkesat për të cilat minatorët kanë dalë në grevë, që lidhen me të drejtën për të krijuar sindikatën e tyre, kushtet e vështira në punë, mungesën e sigurisë dhe pagat e ulëta. Deklarata e saj u kritikua nga deputetë e opozitë, por dhe nga mazhoranca ku sipas deputetit të PS Erion Braçe, minatorëve u është mohuar e drejta kushtetuese për t’u anëtarësuar në një sindikatë dhe është pushuar nga puna përgjegjësi i turnit, duke bërë që minatorët të mos pranojnë të hyjnë në galeri
“Ju s’keni ardhur këtu për ti bërë reklamë kompanisë turke, por keni ardhur për të treguar nëse kompania respekton ligjet shqiptare. S’keni ardhur këtu të na tregoni nëse kishte mungesë sinqeriteti. Ju bashkë me kolegët tuaj i keni kërcënuar punonjësit se ata duhet të kthehen në punë se s’keni çfarë bëni se do flaken në rrugë. Nuk dëgjova çfarë masash keni marrë ndaj kompanisë që ka shkarkuar punonjës nga puna për shkak se një i punësuar ka shpallur grevë. Shqetësimet e minatorëve kanë qenë të vazhdueshme për kushtet e punës, punonjësit punojnë 3 turne, s’kanë pushime dhe s’kanë respektim të marrëdhënieve në punë. Këtu vihet në pikëpyetje edhe cilësia e inspektimeve tuaja. Ju duhet t’ia kishit hequr lejen kompanisë sepse ka shkelur kushtetutën”, tha Bardhi.
“Ne nuk kemi një verifikim institucional të pretendimeve të punonjësve, duhet ta kemi, por ne nuk mund të marrim masa pa fakte. Ka ndodhur në të shkuarën dhe kompanitë kanë fituar gjyqe ndaj shtetit, ndaj duhet të kemi të gjithë dokumentacionin e nevojshëm”, tha Ibrahimaj.
“Pse nuk e bëni inspektimin e kompanisë?”, pyeti Tabaku.
“Elementi i parë është që ne jemi njoftuar për grevë dhe elementi i dytë është që ky konflikt ka vajtur në gjykatë, që na pengojnë që të bëjmë një inspektim të thelluar”, përgjigjet Ibrahimaj.
Nga ana tjetër deputeti socialist Erjon Braçe e diskutoi çështjen si një të drejtë themelore të minatorëve që nuk mund të negociohet.
“Nëse pronari do të ketë sindikatë të vetën ta bëjë diku tjetër, është vullneti i punëtorëve për të zgjedhur sindikatën. Konfederatën e keni në këshillin e punës, kush është ajo kompani që e vë në dyshim. Kur ai thotë nuk të njoh se s’dua sindikatë, çfarë negociate do bësh. Nuk negociohet kushtetuta me pronarin e një kompanie. Ka dy çështje, është pushuar nga puna përgjegjësi i turnit, si nuk mund të futet një minator brenda pa pasur përgjegjësin për situatën? Kompania pastaj nuk ka pranuar të drejtën e tyre sindikale. 26 ditë pune në atë kodin që lexoni ju legjitimohet. 26 ditë në 30 ditë, i bie më shumë se 6 ditë pune në javë. Ai ka punuar orë pune më shumë sesa njeh kodi juaj i punës, pra ka punuar më shumë se një turn. Ky është problemi, dhe është shumë evident. Të shkelet kodi i punës në këtë farë feje, nuk shkon”, tha Braçe.
