Marta Kos
TIRANË-Komisionerja për Zgjerim në Bashkimin Europian, Marta Kos, në një intervistë për DW, teksa foli në lidhje me hapjen e kapitullit të fundit të bisedimeve me Shqipërinë, u pyet edhe për luftën kundër korrupsionit. Kos u pyet edhe për hetimet e SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe arratinë e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Në përgjigjen e saj Komisionerja për Zgjerimin në BE, u shpreh se kjo do të thotë një hap përpara sepse këto çështje janë zbuluar dhe rastet e korrupsionit ndodhin kudo në Europë. Sipas Kos e rëndësishme është të ketë institucione që i luftojnë këto çështje.
Marta Kos: Për mua është një hap përpara se këto çështje janë zbuluar. Nuk jam e lumtur që dëgjoj këto raste. E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën, por kjo tregon se institucionet anti-korrupsion po punojnë. Siç e kam thënë më parë, ne gjithashtu kemi raste korrupsioni brenda Bashkimit Europian. Ato ndodhin kudo. E rëndësishme është të kemi institucione; vendet kandidate i kanë institucionet për t’i luftuar këto raste. Më pas do të jetë sistemi gjyqësor ose gjykatat që do të zbulojnë nëse ligji është shkelur, ose nëse është shkelur, se çfarë do të ndodhë më pas.
