Klani mafioz shqiptar! 1 mln euro për ‘kokën’ e prokurorit belg, 8 të arrestuar

Julien Moinil

BRUKSEL- Policia ka arrestuar tetë persona dhe ka bastisur 18 shtëpi në Bruksel dhe Leuven në lidhje me kërcënimet me vdekje kundër një prokurori të lartë të njohur për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës. Mediat e huaja raportojnë se bëhet fjalë në lidhje me një hetim mbi një komplot të dyshuar për të sulmuar prokurorin publik të Brukselit, Julien Moinil.
Pak ditë më parë mediat investigative ndërkombëtare raportuan se për ekzekutimin e prokurorit, mafia shqiptare kishte vënë një çmim prej 1 milion euro. Kontrollet janë kryer kryesisht në Bruksel, por edhe në Leuven. Tetë persona janë ndaluar dhe aktualisht po merren në pyetje.
“Të dyshuarit kryesorë kanë precedentë penalë për trafik të organizuar droge. Ata janë aktivë brenda botës kriminale shqiptare”, tha departamenti i prokurorit të shtetit belg, por mbetet e paqartë nëse të dyshuarit planifikuan vërtet një sulm ndaj Moinil.
Përpara punës së tij si prokuror në Bruksel, ai punoi për zyrën e prokurorit federal në luftën kundër krimit të organizuar. Ai u vu gjithashtu nën mbrojtje të paktën dy herë gjatë asaj kohe. Një rast përfshinte mashtrim në shkallë të gjerë me makina, dosja Toyota Yaris. Banda që fshihej pas tij dyshohet se donte hakmarrje dhe punësoi një vrasës me pagesë.
Një vit më vonë, e njëjta gjë ndodhi përsëri, këtë herë në lidhje me “rastin e madh EncroChat “. Sipas Le Soir, në atë kohë kishte plane brenda bandave shqiptare për ta vrarë atë dhe thuhet se u nënshkrua një kontratë prej një milion eurosh. Deri më tani, prokurori vetë ka zgjedhur heshtjen, por ndoshta më të ardhmen do të zbulojë detaje të tjera lidhur me personat që kërkonin me çdo kusht eliminimin e tij./ZËRI