Të gjithë ata që kanë bërë shkelje të rënda të qarkullimit rrugor gjatë vitit 2025, vitin e ardhshëm do të paguajnë më shumë për sigurimin e automjetit.
Gjithçka do të përcaktohet në bazë të një sistemi digjital që do të bëjë llogaritjen e primit dhe vlerën e shtuar për shkak të shkeljeve.
“Kjo do funksionojë për 2026 e në vazhdim, ku është marrë database vetëm për 2025. Pra ata që kanë bërë aksidente në 2025 do kenë atë shtesën që parashikon ligji. Ndërsa të tjerët që nuk kanë bërë aksidente dhe nuk kanë shkaktuar probleme do e paguajnë të plotë. Ai që nuk ka bërë asnjë shkelje do paguajë policën e plotë që shënon kompania“, u shpreh Gëzim Hoxha, specialist i Sigurisë Rrugore.
Por sistemi bonus malus shpërblen edhe ata drejtues mjetesh që nuk kanë shkaktuar asnjë dëm në rrugë. Por kjo do të nisë pas vitit 2027, ku për tre vite do të shihet historiku i drejtuesit të mjetit në rrugë.
“Në 2027 të gjithë fitojnë bonus ata që nuk kanë shkaktuar aksidente“, shtoi Hoxha.
Ekspertë të sigurisë rrugore thonë se ky sistem bonus malus për sigurimin e mjeteve do të ndikojë edhe në uljen e aksidenteve rrugore në vend.
“Do të rritet shkalla e përgjegjësisë dhe ndikon për mirë në aksidentet rrugore“, tha eksperti.
Aksidentet rrugore në Shqipëri vijojnë të marrin jetë njerëzish. Në 91,2 % të rasteve, ato ndodhin si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve./Tv Klan
Kush shkakton aksidente paguan më shumë siguracion
