Reshjet e dendura gjatë natës së lënë pas dhe gjatë së martës kanë shkaktuar probleme të shumta në veri të vendit, ku lumenjtë kanë dalë nga shtrati dhe rrugët janë bllokuar.
Një nga situatat më të rënda është regjistruar në fshatin Skuraj të bashkisë Kurbin, ku ura e vetme që lidh zonën me pjesën tjetër të territorit është këputur si pasojë e fuqisë së ujërave.
Kjo urë shërbente për qarkullimin e automjeteve, ndërsa ura për këmbësorët ka qenë e pakalueshme prej tre vitesh.
Si rezultat, banorët e Skurajt kanë mbetur të izoluar, pa mundësi për të kryer aktivitetet e tyre të përditshme, duke u përballur me vështirësi të mëdha për furnizime dhe shërbime bazë.
Banorët e zonës, të cilët prej vitesh ndihen të lënë pas dore nga institucionet, kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për rikonstruksionin e urës dhe garantimin e lëvizjes së lirë. Ata paralajmërojnë se izolimi i gjatë mund të sjellë pasoja të rënda sociale dhe ekonomike për komunitetin.
