Në një intervistë për Syri TV, ambasadori Agim Nesho bëri një analizë të gjerë gjeopolitike mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin europian, duke theksuar se rajoni duhet të bëhet pjesë integrale e Bashkimit Europian për të shmangur ndikimet e fuqive të jashtme dhe destabilizimin politik e ekonomik.
Nesho argumentoi se Shqipëria është ende shumë larg standardeve europiane për shkak të, sipas tij, kapjes së shtetit, mosfunksionimit të institucioneve, bashkëpunimit me krimin e organizuar, mungesës së lirisë së medias dhe tendencave autokratike të qeverisjes. Ai kritikoi gjithashtu burokracinë e Brukselit për tolerimin e një “spektakli suksesi” që, sipas tij, nuk përputhet me realitetin në vend, duke paralajmëruar se kjo qasje rrezikon të kthehet në një shans të humbur për shqiptarët dhe për procesin e integrimit europian.
Agim Nesho: Një këndvështrim gjeopolitik dhe i duhet që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë integrale e Europës së Bashkuar për të mos krijuar një vatër ose një vrimë të zezë ku influencat e fuqive të tjera të huaja të vijnë dhe të çorientojnë politikat ekonomike, presionin politik, rritjen e influencave të sigurisë nga vende të jashtë Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, shikojmë se standardet, sidomos të vendeve të caktuara të Bashkimit të Ballkanit Perëndimor, janë larg përafrimit me standartet e Bashkimit Europian.
Thënë më qartë, më shkoqur për opinionin publik që na ndjek, radha e parë për të bërë të mundur këtë dëshirë dhe aspiratë të madhe të shqiptarëve që të jenë pjesë e Bashkimit Europian, është çmontimi i gjithë regjimit që ka kapur shtetin shqiptar, regjimin e Edi Ramës dhe të Rilindjes. Domethënë, në qoftë se do të arrijmë këtë gjë, do të arrijmë që duhet të çmontojmë kapjen e shtetit, mosfunksionimin e institucioneve, dënimin e krimit të organizuar, mos bashkëveprim me mafien për pastrimin e parave, të ngremë standarde të caktuara në lidhje me lirinë e medias, shteti të mos jetë një autokraci, sepse ti kërkon që të futesh dhe të bashkëjetosh me një familje europiane, ku shumica e vendeve të tyre kanë dhe mbrojnë sistemin politik të një demokracie funksionale. Prandaj, për të arritur deri në këtë pikë, unë mendoj që Shqipëria është shumë larg.
Nuk është çështje e një perspektive, që një vend i rregullt, i cili ka një vullnet politik të klasës politike që e drejton, por edhe një presion që nuk mungon në Shqipëri nga opinioni publik për t’u bërë sa më shpejt pjesë e perëndimit, ë, të gjitha këto tregojnë që Shqipëria është shumë larg këtyre standarteve. Dhe ajo që na shqetëson më shumë, është kjo lojë që vjen nga burokracia e Brukselit. Se po të shikosh, ne nuk jemi, kritizer si opozitë. Opozita është bashkëpërfituese, ndoshta dua të them më e madhe për arsye sepse kërkon që liritë e saja dhe mundësia e funksionimit të institucionit të opozitës si një alternativë në vend, të jetë kur është pjesë e Bashkimit Europian. Por ne nuk mund të pranojmë që gjithë kjo maskaradë, kjo shfaqje e madhe për sukseset e Shqipërisë, për këtë lidership, të vejë deri në vitin 2027 a 29 dhe vendet e Bashkimit Europian ta quajnë të papranueshëm gjithë këtë proces.
Dhe ky është një shans i humbur për popullin shqiptar, ku dihet që opozita shqiptare kërkon të bashkëpunojë në këtë proces, të mos jetë një proces i njëanshëm, të mos jetë një proces ku Bashkimi Europian shikon një vend klientelist dhe një udhëheqje e cila për arsye të caktuara përpiqet që të bëjë ato punët e pista si të projekteve të pa negociueshme për qytetarët e Bashkimit Europian, siç janë proceset e menaxhimit të emigracionit, ashtu edhe të deklarimeve, sidomos në kohët e fundit gjeopolitike, ku Shqipëria edhe regjimi i kalbur i Rilindjes përpiqen që të krijojnë një alternativë pro-europiane për t’u mbrojtur nga ato të vërteta që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe administrata Trump tani gjithmonë e më tepër po deklarojnë ndaj regjimeve të tilla në Europë.
