Rrahu për vdekje 58-vjeçarin në Athinë, flet shqiptari: Më zuri rrugën

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme zonën Neos Kosmos të Athinës, ku një 58-vjeçar grek u rrah për vdekje nga një grup i tre të rinjve, mes tyre edhe një shtetas shqiptar 29-vjeçar.
Sipas hetimeve të policisë greke, shqiptari i arrestuar ka rrëfyer se konflikti nisi pasi viktima i kishte zënë rrugën. Ai ka deklaruar se nuk kishte qëllim të vriste, por veproi në gjaknxehtësi. Hetimet paraprake kanë hedhur poshtë pistën e një ndjekjeje të qëllimshme apo krimi të paramenduar.
Autorët e dyshuar, dy grekë dhe një shqiptar, ndiqnin makinën e viktimës në dy motoçikleta dhe sipas dëshmive, shqiptari ka kapur kokën e 58-vjeçarit dhe e ka goditur disa herë në timon. Policia gjeti makinën e viktimës të mbuluar me gjak, me xhamin e përparmë të thyer.
Përveç tre të rinjve, u arrestua edhe babai i njërit prej tyre, pasi u përpoq të fshihte motoçikletën e të birit gjatë një kontrolli në shtëpi. Të tre të arrestuarit kishin precedentë penalë për vepra të ndryshme.