Bie Cloudflare, mijëra website në mbarë botën ndalojnë së funksionuari

FOTO ILUSTRUESE

Një problem teknik në Cloudflare ka shkaktuar probleme në pjesë të ndryshme të internetit, duke lënë përdoruesit e shumë faqeve, edhe në Shqipëri, pa qasje. Cloudflare është një kompani kritike e infrastrukturës së internetit, që ofron shërbime thelbësore për mbrojtjen e faqeve nga sulmet kibernetike dhe për të siguruar funksionimin e tyre edhe gjatë flukseve të mëdha të trafikut.
“Cloudflare është në dijeni dhe po heton çështjen që mund të ndikojë shumë klientë”, tha kompania në një përditësim të ri.
Edhe faqja e monitorimit të ndërprerjeve DownDetector u prek nga problemet, por në momentet kur arriti të ngarkohej shfaqi një rritje të fortë raportimesh për ndërprerje. Ndërprerja ka krijuar kaos në internet për disa orë me radhë, duke ndikuar shërbime nga më të ndryshmet, nga portale informuese dhe platforma tregtie, deri te aplikacione biznesi dhe shërbime online që përdoren në përditshmëri.
Cloudflare nuk ka dhënë një njoftim të qartë publik mbi shkaqet e incidentit, megjithëse ekipet teknike dyshohet se po punojnë për stabilizimin gradual të rrjetit./ZËRI