Sulo Halili
TIRANË- 27-vjeçar Sulo Halili u vra në mënyrë makabre në Greqi, trupi i të cilit u gjet i shkrumbuar brenda një automjeti në Skourta të Greqisë. Kanë qenë rezultatet e ADN-së që zbuluan se viktima është 27-vjeçari shqiptar i zhdukur nga Halkida.
Ndërkohë, babai i 27-vjeçarit, ka rrëfyer se si e mori vesh lajmin për zhdukjen e tij. Në emisionin “Me zemër të hapur”, ai ka treguar se ishte bashkëshortja e viktimës me të cilën kishte dy fëmijë, 1 muajsh dhe 3 vjeç, ajo e cila e ka njoftuar se Sulo nuk po kthehej në banesë.
Por çfarë ndodhi ditën e zhdukjes? Sipas babait të viktimës, ditën e zhdukjes i biri kishte shkuar me një shok për të marrë patentën. Por sipas shokut, ata ishin ulur në një kafe, ndërsa në një moment Sula ka ikur. Më pas, kur ka tentuar ta telefonojë, telefoni i tij kiishte dalë i fikur. Babai i 27-vjeçarit thotë se djali i tij nuk kishte konflikte me askënd as në Shqipëri dhe as në Greqi.
“Nusja kishte telefonuar kunatën dhe i kishte thënë që thuaj babit “spo vjen Sulo”. Më pas më mori në telefon dhe tha që ishte zhdukur. Kishte shkuar në punë, u kthye në shtëpi dje i tha nuses do iki të marr patentën. U nis me një shok të tijin, atje la shokun e tij dhe më pas ku shkoi nuk e dimë. Kur ai e mori në telefon, ishte fikur. Nuk ka pasur konflikte me askënd, nuk e ka kërcënuar njeri. Na bënë edhe gruan të vdekur. Nusen e kam në shtëpi, ai nuk i ka lënë asnjë përshtypje për këto çështje. Djalin nuk di ta ketë kërcënuar askush. Hera e fundit që erdhi në Shqipëri ishte në shtator, dhe më pas iku në Greqi. Kishte gati 7-8 vite që kishte shkuar atje, ndërsa i martuar kishte 4 vite. U njohën vetë me djalin tim, s’kanë pasur konflikte, kanë dy fëmijë bashkë.”, ka rrëfyer babai i 27-vjeçarit Sulo Halili.
Një nga skenarët që po hetohet lidhet me mundësinë që Halili të jetë ekzekutuar nga ish-i dashuri i partneres së tij. Ky person mësohet se e kishte kërcënuar më herët 27-vjeçarin dhe policia po verifikon nëse ka pasur kontakte apo lëvizje të dyshimta rreth ditës së zhdukjes së viktimës.
Familja e 27-vjeçarit mohon çdo lidhje me botën e krimit, duke deklaruar se ai ishte njeri i qetë, punëtor ndërtimi dhe i martuar. Një pistë që po hetohet është edhe një kontakt i dyshimtë në rrjetet sociale, pasi Halili komunikonte prej muajsh me një vajzë, të cilën mund të ketë shkuar të takonte ditën që u zhduk. Autoritetet kanë sekuestruar telefonat e viktimës dhe familjarëve, po analizojnë mesazhet në TikTok dhe platformat e tjera, si dhe po verifikojnë kamerat e sigurisë për të rindërtuar lëvizjet e fundit të tij.
Automjeti në të cilin u gjet trupi ishte raportuar i vjedhur në maj nga Glyfada dhe mbante targa nga një makinë tjetër në Pieria. Ky detaj, sipas policisë, tregon se një rrjet i krimit të organizuar me një metodologji “profesionale” mund të jetë pas krimit. Oficerët e vrasjeve besojnë se është e mundur që 27-vjeçari të jetë vrarë në një vend tjetër dhe më pas të jetë çuar në zonën e shkretë ku u gjet automjeti i djegur./ZËRI
