Kronikë E Martë, 18 Nëntor 2025 13:20
Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin gjatë natës së kaluar kanë shkaktuar probleme serioze në qarkun e Matit. Një banesë në fshatin Drita është përmbytur plotësisht, duke detyruar evakuimin e familjes Neli, e përbërë nga 8 anëtarë, përfshi fëmijë dhe të moshuar.
Sasia e lartë e reshjeve ka bërë që prurjet e ujërave të rriten me shpejtësi, duke depërtuar në banesë dhe duke rrezikuar jetën e banorëve. Forcat zjarrfikëse, në bashkëpunim me grupet e emergjencave civile dhe Bashkinë Mat, kanë ndërhyrë menjëherë, duke evakuuar të gjithë familjarët dhe duke i sistemuar përkohësisht në një ambient të sigurt.
Kryefamiljari, Hasan Neli, i cili prej vitesh jeton në këtë zonë, tregon se situata ka qenë e papritur dhe shqetësuese: “Rreth orës 7 të mëngjesit shqetësuam fëmijët sepse uji filloi të hynte me shpejtësi brenda. Nuk kemi kaluar kurrë më parë diçka të tillë. U përmbyt e gjithë shtëpia, mobiliet, pajisjet elektrike – gjithçka u dëmtua,” – është shprehur ai, duke shtuar se familja ishte e detyruar të largohej me urgjencë.
Kryetari i Bashkisë Mat dhe struktura të tjera vendore ndodhen në terren për të vlerësuar situatën dhe për të monitoruar rritjen e nivelit të ujit në disa zona problematike.
“Po bëjmë vlerësimin e dëmeve dhe do të ofrojmë ndihmën e nevojshme për familjen. Parashikimet meteorologjike tregojnë se reshjet mund të vijojnë, ndaj jemi në gatishmëri me ekipet e emergjencës,” – thuhet në reagimin zyrtar të bashkisë.
Sipas parashikimeve, reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë 24 orëve të ardhshme, duke rritur rrezikun e përmbytjeve të tjera në zonat pranë lumenjve dhe rrjedhjeve malore.
Institucionet u bëjnë thirrje banorëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të raportojnë menjëherë çdo problem përmes linjës së Emergjencave Civile.
