damian gjiknuri dhe oerd bylykbashi
TIRANË- Është mbledhur këtë të martë Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, në drejtimin e Damian Gjiknurit dhe Oerd Bylykbashi.
Në rendin e ditës së sotme pritet të caktohet numri i ekspertëve teknikë, që do të thirren nga Komisioni, si dhe kërkesa për mbështetje teknike nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias.
Në nisje të fjalës së tij në Komision, Damian Gjiknuri u shpreh se janë dy çështje që duhen adresuar dhe zgjidhur, e para është vendimi i Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës dhe hartimi i listave të kandidatëve.
Gjikuri u shpreh se puna e Komisionit do të nisë me ngritjen e një grupi ekspertësh, të mbështetur nga Kuvendi.
“Do t’i drejtohemi ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias për vënien në dispozicion të ekspertizës. Më e ndershme është të niset me ato probleme të patrajtuara e që nuk kanë ngarkesë politike, siç ka qenë ligji për financimin e partive politike, jashtë fushatave zgjedhore.
Së fundmi, do doja të theksoja se e kuptoj që edhe sot do të ketë debat në këtë komision, ju mund ta shfrytëzoni këtë platformë edhe për të dhënë idetë tuaja politike, por edhe pakënaqësitë tuaja, por na intereson të dalim me një produkt. Edhe kur opozita protestonte, ne kemi arritur të vijmë me një paketë të plotë ligjore”, tha Gjiknuri.
Nga ana tjetër, Oerd Bylykbashi tha se Kodi Zgjedhor nuk mund të luajë rolin e tij të plotë, në rast se nuk goditet krimi zgjedhor, dhe të shkohet në themel të problematikave.
“Tentativa e fundit për reformë ishte ajo e vitit 2020 që preku Kodin Zgjedhor e në fund fare u përmbys me një ndryshim të njëanshëm në Kushtetutë. Reforma e fundit konsensuale ishte ajo e vitit 2012 e që atëherë nuk ka patur më. Keqqeverisja dhe krimi i organizuar në formë masive, ky komision duhet të ketë një qasje të pakufizuar dhe duke hyrë thellë në të gjitha tematikat”, deklaroi Bylykbashi.
