Arben Ahmetajt
TIRANË-Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj në një lidhje telefonike me Çim Peka Live në SYRI TV ka komentuar hetimin e ri në lidhje me një transfertë prej 3 mln eurosh, e cila dyshohet se është bërë për llogari të tij drejt Austrisë. Ahmetaj kërkoi nga SPAK të paraqesë prova për transfertën, duke deklaruar se nëse do të ekzistonte qoftë edhe një transaksion i vetëm prej një euro, ai “do të ishte i varur në Tiranë”. Ish-zv.kryeministri theksoi se një letër-porosi e ardhur nga Austria që në muajin maj, sipas tij, konfirmon se nuk ka asnjë lidhje me të.
Arben Ahmetaj: Imagjino që SPAK ka patur vonesa në ekstradim, në sigurimin e provave, por asnjë vonesë në rastin tim për të kërkuar ekstradimin. Në rastin tim urgjenca ka qenë shembullore. Ka të bëjë me një pseudo transaksion nëse do kishte një transaksion të dalë sa më parë. E para që letërporosia nga Austria që ka kërkuar prokurori ishte minimalisht në maj dhe prokurori e ka shprehur që nuk ka lidhje fare me mua. Secili nga ne e di çfarë ka bërë dhe ka 0 transaksione jo me Austrinë por me gjithë globin, me parajsa fiskale ka 0. Merren me lajmë të rremë për të devijuar vëmendjen dhe merren me qefin e madh për të më parë mua në burg. Po të kishte një transaksion 1 euro, 1 lekë mua do më kishin varur në Tiranë. Prokurori po e bën sepse po kandidon për kreun e SPAK. Po të kisha bërë unë jo 5D, po gjysmë D dhe gjysmë B, sot do isha i varur në Tiranë.
Më herët gjatë ditës u raportua se Ministria e Drejtësisë i ka dorëzuar zyrtarisht Zvicrës kërkesën për ekstradimin e ish-numrit 2 të qeverisë, Arben Ahmetaj, i cili është marrë i pandehur në dy raste nga Prokuroria e Posaçme. Ish-zv.kryeministri është marrë i pandehur nga SPAK, për dosjen e inceneratorit të Tiranës, si dhe privatizimin e truallit të ish-shoqërisë shtetërore BUKA. Arben Ahmetaj u largua drejt Zvicrës në Korrik të vitit 2023, disa ditë përpara se SPAK të kërkonte arrestimin e tij në lidhje me dosjen e inceneratorit të Tiranës./ZËRI
