Një dron goditi një anije transportuese me flamur turk dhe shkaktoi zjarr të hënën në rajonin jugor të Ukrainës, Odesa, thanë zyrtarët, një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nënshkroi një marrëveshje për të importuar gaz natyror të lëngëzuar nga ShBA-ja.
Anija “MT Orinda” u godit gjatë shkarkimit të gazit të lëngëzuar në portin Izmail, tha Drejtoria e Çështjeve Detare e Turqisë, duke shtuar se të gjithë 16 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan dhe askush nuk u lëndua, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Rusia ka përdorur dronë, raketa e artileri për ta goditur disa herë rajonin Odesa, sidomos portet e saj në brigjet e Detit të Zi, që nga fillimi i pushtimit të plotë rus para gati katër vjetëve. Nuk pati koment të menjëhershëm nga Rusia të hënën.
Zyrtarët ukrainas nuk e komentuan në mënyrë specifike rastin e anijes, edhe pse drejtori i administratës ushtarake rajonale, Oleh Kiper, tha se dronët rusë e sulmuan Odesën gjatë natës dhe i dëmtuan infrastrukturën e energjisë dhe të porteve në disa qytete.
Nga ky sulm u shkaktuan disa zjarre dhe u dëmtuan një numër i pasaktësuar i anijeve civile, shtoi ai, duke thënë se një person u lëndua, transmeton gazeta “Nacionale”.
Izmail-i është njëri prej një vargu portesh që janë jetike për eksportet dhe importet e Ukrainës. Kur Rusia po e vë në shënjestër infrastrukturën energjetike të vendit fqinj, presidenti Volodymyr Zelensky po mundohet që të sigurojë gaz e lëndë të tjera energjetike që mund ta ndihmojnë Ukrainën para dimrit që po afrohet.
Zelensky të dielën ishte për vizitë zyrtare në Greqi. Gazi natyror i lëngëzuar nga ShBA-ja do të fillojë që të rrjedhë drejt Odesës nga porti verior grek, Alexandropoulis, nga janari i vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, autoritetet në Rumani e urdhëruan evakuimin e njerëzve dhe kafshëve nga dy fshatra afër portit Izmail, në anën rumune të kufirit, duke thënë se natyra e ngarkesës së anijes transportuese kërkonte masa të tilla.
