Meta në kërkim të lirisë, zbulohet data e gjyqit në Gjykatë e Lartë

Ilir Meta

TIRANË-Ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të dalë në 27 nëntor në Gjykatën e Lartë. Gjyqtari Ilir Panda do të vendosë nëse do të ndryshojë masa e sigurisë “arrest me burg” ndaj Ilir Metës. Kërkesa e Metës në Gjykatën e Lartë për lirimin nga burgu erdhi pas rrëzimit ne gjykatën e Apelit të Posaçëm.

Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI