Sali Berisha
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në protestën para kryeministrisë ka deklaruar opozita nuk do të pranojë kurrë ligjin për Barazinë Gjinore, i cili u miratua në Kuvend me votat e socialistëve. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku se po kërkojnë të shkatërrojnë institucionin e familjes. Kreu i PD-së theksoi se familja shqiptare do mbetet institucioni më i shenjtë i kombit shqiptar dhe Shqipërisë.
Sali Berisha: Atë ligj votoi parlamenti. Atë ligj, shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë. Sepse ai ligj është shpërbërja e familjes. Po u shpërbë familja, Shqipëria shpërbëhet, kombi shpërbëhet, zhduket, siç janë zhdukur kombet në histori. Ndaj dhe ne sot këtu jemi të betuar se atë ligj nuk do e pranojmë kurrë. Se familja shqiptare do mbetet institucioni më i shenjtë i çdo shqiptari. Familja shqiptare do mbetet institucioni më i shenjtë i kombit shqiptar dhe Shqipërisë. Kjo familje, këtë komb e ka sjellë gjer ditën e sotme nga lashtësia. Kjo familje, këtë familje, Edi Rama dhe Lubia kërkojnë ta shkatërrojnë. Kjo familje do mbrohet me çdo çmim. Do mbrohet me çdo çmim. Do mbrohet me çdo çmim. Të gjithë ju dhe ata të cilët nuk janë sot me ne për një arsye apo një tjetër sepse nuk kanë pasur mundësi të vijnë, e keni për detyrë të ulemi me çdo shqiptar. Të ulemi sepse platforma parlamentaro-qytetare është platformë e qytetarëve shqiptarë, demokratë, pa parti, por edhe e socialistëve që e duan familjen, që e duan Shqipërinë, që e duan vendin. Kjo platformë është platforma e një bashkimi më të madh se kurrë të shqiptarëve rreth vlerave më të shenjta të tyre, rreth votës së lirë, rreth familjes. Ndaj dhe nga kjo platformë, që do vazhdojë gjersa Rama dhe Belinda të shporren nga ai vend, do të shndërrohet në uraganin e fuqishëm, në uraganin e shpresës, në uraganin e besimit, në uraganin e fitores. Rrofshi ju. Rroftë opozita. Rroftë Shqipëria!
Ligji për “Barazinë Ligjore” u votua në Kuvend në seancën e 6 nëntorit me 77 vota pro të Partisë Socialiste dhe 36 vota kundër. Projektligji kaloi vetëm me votat e Partisë Socialiste, pasi opozita votoi kundër. Miratimi i këtij ligji është shoqëruar me diskutime dhe kundërshti edhe mes analistëve të cilët e kanë cilësuar si ligj anti kombëtar./ZËRI
