Shpërthen një furgon në një parking nëntokësor në Londër, një i plagosur me djegie

Sipas raportimit të gbnews.com, shpërthimi ndodhi mëngjesin e së hënës, duke shkaktuar panik dhe duke detyruar autoritetet të evakuojnë qendrën tregtare, ku në atë moment ndodheshin rreth 100 persona.
Shkaku i shpërthimit
Policia dhe zjarrfikësit deklaruan se shpërthimi u shkaktua nga materiale të ndezshme që furgoni transportonte, pasi çatia e mjetit, për arsye ende të paqarta, u përplas me tavanin e parkingut.
Fotografitë nga vendngjarja tregojnë furgonin pothuajse të shkatërruar, me xhama të thyer dhe pjesën e brendshme të ekspozuar. Sipas Policisë Metropolitane, drejtuesi i mjetit, një burrë rreth 60 vjeç, u plagos dhe u transportua menjëherë në spital.
Autoritetet bënë të ditur se incidenti është ende nën hetim dhe se nuk besohet të jetë i lidhur me terrorizmin. Një dëshmitar okular, i cili punonte pranë qendrës tregtare në momentin e shpërthimit, tha: “Ndjeva një valë të fuqishme goditëse që e bëri tokën të dridhej. Nuk ra asnjë alarm dhe më pas na kërkuan të largoheshim nga zona.”