Kancelari gjerman: BE-ja duhet të transformohet në një Bashkim Evropian të Mbrojtjes

Mesazhet paralajmëruese për kërcënimin rus që Berlini ka dërguar gjatë 24 orëve të fundit kanë qenë të vazhdueshme, pasi Ministri i Jashtëm gjerman Boris Pistorius, cili vuri në dukje se “Evropa mund të ketë përjetuar verën e saj të fundit paqësore” dhe se “një konflikt NATO-Rusi para vitit 2029 është i mundur”.
Lidhur me këtë deklaratë kancelari gjerman Friedrich Merz tha se Bashkimi Evropian duhet të transformohet në bashkimin evropian të mbrojtjes.
“Mes sfidave në rritje të sigurisë ndërkombëtare, Bashkimi Evropian duhet të transformohet në një bashkim evropian të mbrojtjes”, sqaroi të hënën kancelari gjerman.
Merz tha se evropianët duhet të ndërmarrin hapa të rinj në përgjigje të luftës në Ukrainë, ndryshimeve në marrëdhëniet euroatlantike dhe qëndrimit gjithnjë e më agresiv të Kinës.
“Nuk mund të mbështetemi më te SHBA-ja për të na mbrojtur, te Kina për të na furnizuar me lëndë të para apo te Rusia që më në fund të kthehet në rrugën e paqes. Bota po ndryshon dhe Evropa duhet të përgjigjet”, theksoi Merz.
“Është e nevojshme ta transformojmë këtë Bashkim Evropian në një bashkim evropian të mbrojtjes. Ne po përballemi me sfida ndërkombëtare që ne si evropianë duhet t’i përballojmë së bashku – me aftësinë për të mbrojtur veten”, vuri në dukje ai.
Merz theksoi se Gjermania, si ekonomia më e fortë e BE-së dhe vendi më i populluar, duhet të marrë përgjegjësi më të mëdha për Evropën. “Ne kemi një përgjegjësi shumë më të madhe se kushdo tjetër për të marrë udhëheqjen brenda kësaj BE-je. Por kjo mbetet fjalë boshe nëse nuk ka substancë”, tha ai.