Berisha ngjitet i pari në ‘foltoren’ para Kryeministrisë: Jemi para pallatit të krimit shtetëror

Sali Berisha

TIRANË-Kreu i PD, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij në protestën para kryeministrisë, ku inaguroi platformën parlamentare-qytetare. Në nisjen të protestës së sotme, ai mbajti një fjalim përpara mbështetësve demokratë, duke thënë se kryeministri Edi Rama ka përzënë më shumë shqiptarë sesa çdo pushtues.
Sali Berisha: Të dashur demokrate e demokratë, mbështetës të opozitës, parlamentarë të opozitës. Miqtë e mi. Liria është si një lumë, të cilin me asnjë lloj përpjekje nuk mund ta ndalësh, nuk mund ta përthash. Po guxove ta bllokosh, ajo do të çajë një kanal. Pikërisht kjo është platforma parlamentaro-qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit.Para pallatit të krimit shtetëror, ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin. Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve, që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare. Para pallatit që në një krim monstruoz ndaj shqiptarëve i zvogëloi ata dhe i ktheu 100 vite mbrapa. Para pallatit që ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën, Edvinin dhe Lubinë, të cilët me vjedhjet, plaçkitjet e tyre kanë mbjellë skamje në këtë vend si në asnjë vend tjetër të kontinentit. Përpjekjet e opozitës për zgjedhje dhe rotacion të pushtetit u përballën me tonelatat e eurove të drogës. U përballën me ushtrinë terroriste të patronazhistëve. Terroristë të votës. U përballën me të gjithë burimet financiare, njerëzore, logjistike, të gjithanshme të shtetit mafioz, të narkoshtetit vetëm e vetëm se rotacioni, largimi nga pushteti i tyre është frikë, tmerr nga krimet që kanë kryer.

/ZËRI