PAMJE NGA NGJARJA
SHKODËR-Moti i keq me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë pritet të përfshijë Shqipërinë, ku problematika e parë është regjistruar në Shkodër. 5 mjete dhe 9 persona u bllokuan në aksin rrugor Breg Lumi – Theth, rreth 100 metra larg urës së fshatit Gimaj, si pasojë e shembjes së një masivi inertesh për shkak të reshjeve intensive.
Kryebashkiaku Benet Beci bën me dije se Makineritë e rënda dhe fadromat janë vënë menjëherë në punë për zhbllokimin e rrugës, ndërsa një ekip i specializuar i emergjencave civile është nisur drejt zonës për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë me mjete të posaçme për evakuimin dhe garantimin e sigurisë së personave të bllokuar.
Kryetari i Bashkisë Shkodër në Facebook: Bashkia Shkodër është angazhuar menjëherë me të gjitha kapacitetet në terren, sapo është njoftuar për bllokimin e 5 mjeteve dhe 9 personave në aksin rrugor Breg Lumi – Theth, rreth 100 metra larg urës së fshatit Gimaj, si pasojë e shembjes së një masivi inertesh për shkak të motit të keq dhe reshjeve intensive. Makineritë e rënda dhe fadromat janë vënë menjëherë në punë për zhbllokimin e rrugës, ndërsa një ekip i specializuar i emergjencave civile është nisur drejt zonës për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë me mjete të posaçme për evakuimin dhe garantimin e sigurisë së personave të bllokuar. Strukturat tona po punojnë me intensitet për të normalizuar qarkullimin dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga kjo situatë e krijuar nga kushtet e vështira atmosferike.
Qarqet që paraqesin rrezikshmëri të lartë për përmbytje për shkak të intensitetit të reshjeve janë qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa reshje intensive në Lezhë dhe mesatare deri intensive në Dibër, Durrës dhe Tiranë. Ministria e Mbrojtjes si dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kanë bërë thirrje bashkive dhe strukturave vendore për të treguar kujdes të shtuar si dhe për marrjen e masave urgjente./ZËRI
